Emma Mkrtchyan vdiq në shtëpi, e shtrirë dhe me simptoma të tmerrshme të koronavirusit. Megjithëse 83-vjeçares i kishte rënë oksigjeni në gjak nën normale, ambulanca refuzoi kërkesën e familjarëve që ta dërgojë në spital.
“Edhe sikur ta dërgonin në spital, atje do ballafaqohej me radhë të gjata dhe pa ndonjë vend të lirë”, ka deklaruar nusja e djalit të saj, shkruan Reuters.
Sistemi shëndetësor i Armenisë është tmerrësisht i shkatërruar pasi që po ballafaqohet me “shpërthime” të reja të koronavirusit. Pos kësaj, një numër i madh i refugjatësh dhe ushtarësh të plagosur në Nagorno-Karabakh, po presin të marrin trajtimin modest mjekësor.
Pos luftimeve, që së fundmi kanë përfunduar, zyrtarët armenë thonë se banorët e këtij shteti kanë për t’u përballur me koronavirusin. Mijëra raste të infektimit po raportohen çdo ditë, duke u renditur e 10-ta sa i përket numrit të rasteve pozitive me koronavirus.
Një zëdhënëse e ministrisë së shëndetësisë ka thënë se në tërë spitalet e vendit, vetëm pesë shtretër janë të ndarë për pacientët e infektuar me COVID-19.
“Mjekët tanë, si dhe e gjithë Armenia, po luftojnë një luftë në dy fronte tani,” tha Nune Bakunts, zëvendës drejtor i Qendrës Kombëtare të Armenisë për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. “Armiku është në njërën anë dhe koronavirusi është në anën tjetër.”
Përpos kësaj, një grup i madh banorësh po ankohen edhe me marrëveshjen e arritur me Azerbejxhanin pasi që ky i fundit do e mbajë territorin e fituar pas gjashtë javësh luftime.