Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Armando Broja, vazhdon të tregojë formën e tij të mirë me klubin në kampionatin holandez, teksa ndihmoi Vitessen të fitonte me rezultatin 2-1 ndaj Zwolle-s këtë të shtunë.
Talenti shqiptar ka marrë një pasim në kufijtë e pozicionit jashtë loje, duke u shkëputur me vrull dhe pasi u paraqit i vetëm me portierin kundërshtar e dërgoi topin në rrjetë me një gjuajtje të saktë me të djathtën, përcjell FrontOnline.
Goli i tij kaloi në avantazh Vitessen në minutën e 27-të, ndërsa në startin e pjesës së dytë ka shënuar sërish, por gjyqtari e ka anuluar pasi u konsultua me sistemin VAR për shkak të një prekje të topit me dorë.
Bëhet fjalë për golin e 11-të sezonal për Armando Brojën, me 10 të realizuar në kampionat dhe 1 në Kupë.
Shqiptari është vlerësuar me notën 7.4 në këtë takim duke qenë mes të mirëve në fushë për klubin e tij.
Sulmuesi është aktivizuar në 27 ndeshje me Vitesse-n këtë sezon dhe ka një mesatare prej 1 goli në 174 minuta, duke bërë paraqitje mjaft të mira në këtë sezon të parë në kampionatin holandez./FrontOnline/