Pas vetëm gjashtë vitesh themelim, klubi i Malishevës e ka arritur një sukses historik duke u inkuadruar në elitën e futbollit të Kosovës.
Skuadra që drejtohet nga Arsim Thaqi u shpall kampione e grupit A në Ligën e Parë, duke e zënë një vend direkt në Superligën e Kosovës, raporton FrontOnline.
Përkundër konkurrencës së madhe nga klubet tjera si Dukagjini i Klinës dhe Istogu, Malisheva ia doli dhe nga edicioni i ardhshëm do të bëjë gara në elitë.
Në një bisedë me FrontOnline, trajneri i skuadrës, Arsim Thaqi është rrëfyer për aventurën e tij me Malishevën si dhe për suksesin historik të këtij edicioni.
“Kur e kam marrë drejtimin e Malishevës, e kam ditur që nuk do të jetë e lehtë, duke e ditur nivelin e skuadrave, por misioni im ka qenë inkuadrimi i Malishevës në Superligë, dhe normalisht fitorja në ndeshjen e fundit (ndaj Vëllaznimit) ka qenë emocionale”, e nis bisedën Arsim Thaqi.
Thaqi, trajner i mirënjohur i futbollit kosovar, thotë se kishte marrëveshje me klubin për ta inkuadruar Malishevën në elitë.
“Marrëveshja ime me Malishevën ka qenë inkuadrimi në Superligë. Për vitin e ardhshëm, varet nga klubi se si do të organizohet”, tregon më tej ai.
Duke qenë në garë të ngushtë me Dukagjinin, Malisheva e siguroi inkuadrimin në Superligë vetëm në ndeshjen e së shtunës ndaj Vëllaznimit, derisa Thaqi bën me dije se kishte premio për futbollistët.
“Premio kemi pasur, vlera e premios… nëse e keni shikuar ndeshjen, angazhimi i futbollistëve dhe dominimi i kësaj ndeshjeje nënkupton se premio nuk ka qenë e vogël”, theksoi ish-trajneri i Prishtinës.
Se a do të jetë pjesë e Malishevës edhe për edicionin e ardhshëm, Thaqi thotë se ende nuk dihet asgjë.
“Për vitin e ardhshëm, duhet të ulemi dhe të bisedojmë me klubin. Edhe në bazë të ambicieve dhe organizimit do të jetë marrëveshja”, përfundoi të hënën për FrontOnline Arsim Thaqi./FrontOnline/