Avni Arifi, ish-shef i ekipit negociator të Kosovës në dialogun teknik me Serbinë, ka folur për “Front Online” lidhur me draft-rezolutën e miratuar për Kosovën, duke e vlerësuar si një hap të mirë, por pa shumë mundësi për ndryshime të shpejta.
“Draft-rezoluta është e mire se ardhur edhe pse nuk e di sa mundet të ndryshoj gjërat sepse masat hiqen nga shtetet anëtare. Disa nga këto shtete janë të afërta me Serbinë dhe është vështirë me besuar se së shpejti do të ketë ndonjë zhvillim”, shprehet ai.
Arifi ka deklaruar se progresi në heqjen e masave ka humbur kuptimin, veçanërisht pas sulmit të fundit në Banjskë, duke e quajtur të pakuptueshme dhe të njëanshme vendimet e BE-së.
“Progresit në heqjen e masave i ka humb kuptimi siç i ka hup kuptimi edhe vet masave pas sulmit ne Banjskë. E pakuptueshme dhe tërësisht e njëanshme BE në sanksionimin e Kosovës dhe kursyese ndaj Serbisë është në situatë ku Serbia pastër ka bërë terrorizëm shtetëror në Kosovë”, theksoi Arifi.
Parlamenti Evropian mbështet edhe kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe planin për t’iu bashkuar programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s.
Nënvizohet gjithashtu progresi domethënës në fushën e drejtësisë, të sigurisë dhe lirive, të luftës kundër krimit të organizuar dhe të funksionimit të ekonomisë së tregut, por shpreh keqardhje për përparimin e limituar në sundimin e ligjit.
Shqetësim serioz shprehet edhe për dobësitë sistematike të sistemit të drejtësisë në Kosovë, sidomos sa i përket pavarësisë dhe respektimit të ndarjeve të pushteteve.
Shqetësim shprehet, gjithashtu, për situatën e sigurisë në veri të Kosovës, posaçërisht pas sulmit të armatosur në Banjskë dhe atë në Ibër Lepenc. Kërkohet sjellja para drejtësisë e autorëve të këtyre sulmeve.
Keqardhje e veçantë shprehet përse Serbia nuk i ka nxjerrë para drejtësisë kryesit e sulmit terrorist në Banjskë, përfshirë ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq.
Dokumenti shpreh, gjithashtu, mbështetje për procesin e dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe përshëndet emërimin e Peter Sorensenit në postin e emisarit për këtë dialog.
Pas aprovimit në Komitetin për Politikë të Jashtme ky dokument gjatë muajve të verës do të votohet në seancë plenare kur do e merr edhe versionin e Rezolutës së Parlamentit Evropian./FrontOnline