Arbnor Muja është njëri ndër futbollistët më cilësor që aktivizohet në futbollin e Kosovës, raporton FrontOnline.
Së fundmi, mediat turke kanë raportuar se klubi nga Turqia, Balikesirspor ka shprehur interesim për futbollistin e Trepçës ’89.
Klubi turk është duke krijuar një skuadër ambicioze për edicionin e ri, ku për synim e ka që të vazhdojë bashkëpunimin me trajnerin Yusuf Simsek.
“Yeniasir” raportoi ditë më parë se shënjestra e parë e klubit është Arbnor Muja, i cili luan si sulmues anësor.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar vetë ylli i Trepçës ’89 për FrontOnline.
Ai ka deklaruar se këto zëra janë të vërtetë.
“Është e vërtetë që ka disa zhvillime dhe bisedime, por asgjë zyrtare. Jemi në kontakt me disa klube turke”, ka thënë të shtunën për FrontOnline Arbnor Muja, duke shtuar:
“Megjithatë, mendja ime është e përqëndruar te Trepça ’89 dhe situata ku jemi”.
Muja në këtë sezon ka zhvilluar 26 ndeshje me skuadrën mitrovicase ku ka realizuar katër gola. Përveç 89-shit, Muja ka luajtur te Braunscheweing II në Bundesliga II, gjithashtu është paraqitur në formë huazimi te Skënderbeu.
Muja, i cili mund të luajë si sulmues dhe si mesfushor me numër dhjetë gjithashtu ka veshur fanellën e Përfaqësueses së Kosovës U21./FrontOnline/