Para dy ditëve, Arbëria përmes një komunikate zyrtare njoftoi se Jeton Gashi është trajner i tyre i ri.
Arbëria edicionin e kaluar ishte pjesë e Superligës së Kosovës, ku në krye kishte trajnerin e njohur elitar, Arbnor Morina, me të cilin ‘luftuan’ deri në fund për mbijetesë, por pas humbjes nga Drita në xhiron e fundit ranë në Ligën e Parë.
Morina për lajmi.net, ka zbuluar arsyet që nuk u vazhdua bashkëpunimi me Arbërinë. Ai tha se marrëveshja e nënshkruar ishte njëvjeçare dhe që janë ndarë në mënyrë shoqërore.
“Marrëveshja ka qenë vetëm njëvjeçare. Kur ka ardhur kryetari kemi biseduar, planet e klubit janë tjera, financat janë tjera edhe jemi ndarë shumë shoqërisht”.
“Marrëveshja ka përfunduar dhe tash është duke kryer obligimet financiare që ka ndaj meje. S’ka asgjë diskutabile. Në mënyrë shoqërore jemi ndarë”, deklaroi fillimisht ai.
I pyetur nëse është në negociata me ndonjë skuadër, Morina konfirmoi se ka kontakte me disa skuadra dhe zbuloi se më konkretja është oferta nga një klub i Amerikës, me të cilin janë duke negociuar.
“Kontakte ka, por konkretë ende jo. Më konkretë është një ofertë që më ka mbërri nga Amerika, për të cilën po bisedojnë menaxherët, por ende nuk dihet, sepse po shkon përmes një menaxheri”, nënvizoi ai.
Ndërkohë, tani mbetet të shihet nëse do arrihet kjo marrëveshje dhe Morina të thyejë ‘tabunë’ duke u bërë trajner i ndonjë skuadra jashtë vendit.