×
  • Ekonomi
  • Ekonomi

    Arbitrazhi lehtëson zgjidhjen e kontesteve biznesore

    FrontOnline
    25 Gusht 2020

    Qendra e Arbitrazhit e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi një forum virtual rreth rëndësisë dhe përfitimeve nga arbitrazhi si metodë alternative për zgjidhjen e kontesteve, gjatë të cilit anëtarët e Odës Amerikane patën mundësi të diskutojnë mbi këtë proces me arbitrat Korab Sejdiu, Njomëza Zejnullahu, Fuad El Saddi dhe James Emert. Në veçanti, gjatë këtij forumi u diskutua zgjidhja e kontesteve ekonomike gjatë kohës së pandemisë.

    Korab Sejdiu, partner themelues i firmës ligjore Sejdiu & Qerkini, dhe njëherit arbitër në Qendrën e Arbitrazhit të Odës Amerikane, duke përmendur sfidat me të cilat po përballet sistemi ligjor gjatë periudhës së pandemisë, theksoi se arbitrazhi si metodë alternative e zgjidhjes së kontesteve gjatë kësaj kohe ka marrë rëndësi jetike.

    Sejdiu tha se bizneset nuk duhet të dekurajohen nga mungesa e klauzolës së arbitrazhit, pasi mund të përdorin këtë proces për zgjidhje të kontesteve edhe nëse fillimisht kjo klauzolë nuk ka qenë e përfshirë në kontratën e tyre, nëse të dy palët janë të pajtimit për një gjë të tillë. Sipas tij, fushatat e ndërgjegjësimit ndaj arbitrazhit duhet të fuqizohen më tej, sepse pavarësisht efikasitetit të gjykatave në kushte normale, arbitrazhi është gjithmonë një proces i qasshëm dhe fleksibil.

    Njomëza Zejnullahu, arbitre e Qendrës së Arbitrazhit të Odës Amerikane, njëkohësisht edhe këshilltare e lartë ligjore në programin e USAID për Drejtësi Komerciale, theksoi se ky program është vazhdimisht në mbështetje të akterëve përkatës për promovimin e procesit të arbitrazhit dhe themelimin e Gjykatës Komerciale. Zejnullahu potencoi se arbitrazhi si metodë alternative për zgjidhjen e kontesteve nuk bie ndesh me punën e gjykatave, por në fakt i mbështet dhe plotëson ato.

    Sipas saj, të pasurit e një gjykate e cila i trajton çështjet e natyrës komerciale dhe bashkë-ekziston me arbitrazhin do të jetë shumë e dobishme për bizneset kosovare. Zejnullahu tha se programi i USAID për Drejtësi Komerciale po punon afërsisht me institucionet e Kosovës, Odën Ekonomike Amerikane dhe akterë të tjerë drejt promovimit të arbitrazhit si metodë alternative për zgjidhje të kontesteve komerciale.

    Jason Emmert, arbitër dhe drejtor menaxhues i kompanisë Emert Group në SHBA, theksoi se pandemia COVID-19 ka imponuar një transferim të proceseve ligjore edhe në shtetet e SHBA-së, të cilat deri më tani kanë funksionuar në mënyrë tradicionale fizike. Ai theksoi se gjykatat komerciale dhe arbitrazhi përfitojnë nga njëra tjetra pasi që arbitrazhi lehtëson barrën e gjykatave, ndërsa kjo periudhë e pandemisë vetëm sa do të fuqizojë mekanizmat e zgjidhjes së kontesteve. Emmert po ashtu potencoi se Kosova ka përfituar shumë nga njohja falë sportit, prandaj arbitrazhi i cili përfshin edhe ligjin sportiv është shumë i nevojshëm, marrë parasysh se disa shkelje të ligjeve sportive trajtohen më lehtë përmes këtij mekanizmi sesa përmes gjykatave.

    Fouad El Saddi, arbitër në Qendrën e Arbitrazhit të Odës Amerikane dhe partner menaxhues i zyrës ligjore Saddi në Beirut, tha se në çdo krizë apo sfidë ekziston një mundësi për zhvillim. Sipas tij për shkak se gjykatat janë të mbingarkuara dhe nuk mund t’i trajtojnë të gjitha çështjet, arbitrazhi po promovohet së bashku me metoda të tjera alternative për zgjidhjen e kontesteve në përgjithësi. Ai potencoi se pandemia COVID-19 ka krijuar një mundësi të mirë për zhvillimin e arbitrazhit si metodë më e përshtatshme për zgjidhjen e kontesteve, derisa ndau me pjesëmarrësit e forumit se në shtetin e Libanit arbitrazhi po promovohet përmes shembujve të rasteve të zgjidhura përmes kësaj metode.

    Nga Rubrika
    Ekonomi18 Dhjetor 2024
    Arkitekti Përparim Rama kishte propozuar mega projekte për Komunën e Prishtinës para tri viteve, kur ishte zgjedhur kryetar i Prishtinës, por premtimet...
    Bota/Rajoni16 Dhjetor 2024
    Bitcoin ka arritur në një rekord të ri, duke kapur vlerën e 106 mijë dollarëve përpara se të binte në rreth 105...
    Ekonomi13 Dhjetor 2024
    KESCO ka njoftuar se për sot dhe një pjesë të ditës së nesërme kanë importuar energji elektrike mbi 3.5 milionë euro. Sipas...
    Të tjera
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryeministri Albin Kurti u pyet për refuzimin për ta takuar kryesindikalistin e sektorit privat, Jusuf Azemi i cili ka thënë për Front...
    Bota/Rajoni22 Dhjetor 2024
    Shqipëria zyrtarisht e ka bllokuar për një vit qasjen në rrjetin social TikTok. Vendimi u mor ditën e djeshme nga ekzekutivi shqiptar....
    Bota/Rajoni22 Dhjetor 2024
    Niveli i kërcënimit po rritet në arenën globale, por nuk ka nevojë të trembni njerëzit duke folur për Luftën e Tretë Botërore....
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se “shpërndajra e buxhetit të shtetit në kohë fushate është skemë e korrupsionit publik”, ndërsa...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Banorja e shtëpisë më të madhe në vend, Gresa u ka treguar konkurrentëve se me kë ka biseduar në telefon për herë...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Banori i shtëpisë më të madhe në vend, Xuxi ia ka kërkuar cigaret e ‘vjedhura’ Gjestit. Mirëpo Gjesti nuk e kishte hallin...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.