Gjykata e Apelit ia ka refuzuar ankesën Telekomit të Kosovës lidhur me kontestin me Z-Mobile. Këtë e ka konfirmuar avokati i Telekomit, Gazmend Nushi.
“Po, mund t’ua konfirmoj që ankesën tonë e ka refuzuar Apeli mirëpo s’mund të jap detaje të tjera pa marrë leje nga Telekomi. Jemi në bashkëpunim me Telekomin dhe do shohim për hapat e ardhshëm”, i ka thënë shkurtimisht Nushi KOHËS.
Kjo ankesë e Telekomit ishte parashtruar ndaj vendimit të Gjykatës së Prishtinës, me të cilin ia kishte njohur të drejtën kompanisë “Dardafone.net LLC”, për përmbarimin e borxhit milionësh, duke ia refuzuar kundërshtimin e parashtruar nga Telekomi i Kosovës.
“Konflikti” mes kompanisë “Dardanfon.net LLC” dhe Telekomit të Kosovës daton që nga 16 janari i vitit 2009, kur kishin nënshkruar marrëveshje. Marrëveshja e tyre parashihte që Z-Mobile të jetë operator virtual i telefonisë Vala. Z-Mobile i kishte kërkuar Valës më shumë se 200 mijë numra sa i ishin ndarë në fillim.
Të dy palët përfunduar në Arbitrazh. Z-Mobile, e njohur si Dardafone, i ishte drejtuar Arbitrazhit pasi pretendonte se Telekomi i Kosovës po e shkelte marrëveshjen duke mos ia ndarë 200 mijë numra shtesë.
Arbitrazhi e kishte obliguar Telekomin që t’ia paguante Z-Mobilet rreth 30 milionë euro gjobë, në emër të shpërblimit të dëmit, fitimit dhe shpenzimeve. Më pas, Telekomi dhe Z-Mobile kishin bërë me dije se kanë arritur një marrëveshje lidhur me vendimin e Arbitrazhit.
Marrëveshja ishte zbatuar pjesërisht ndërsa Telekomi i Kosovës kishte vendosur që të mos e vazhdojë kontratën me Dardafone për operatorin Z-Mobile. Këta të fundit, kishin ngritur padi të re ndaj Telekomit.
Si pasojë e borxhit ndaj Z-Mobilet, KOHA gjatë së hënës ka raportuar se llogaritë e Telekomit janë bllokuar. Këtë e ka konfirmuar kreu i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj.