×
  • Lajme
  • Lajme

    Ankohen qytetarët: Laboratoret private po i vonojnë disa ditë rezultatet e testit për Covid-19

    FrontOnline
    21 Gusht 2020

    Afër tregut në lagjen Ulpiana në Prishtinë, çdo ditë po krijohen radhë të gjata të qytetarëve, të cilët presin për të bërë testet për koronavirus.

    Në këtë lagje gjendet laboratori “Medical & Laboratory Services”, që është i vetmi laborator privat në kryeqytet ku bëhen teste virologjike me metodën PCR. Një tjetër është në Lipjan.

    Megjithatë, qytetarët që po presin me orë të tëra fillimisht për të bërë testin, e pastaj disa ditë për marrjen e rezultateve, ankohen për papërgjegjësinë e këtij laboratori.

    “Dje kam thirrur, s’ma ka hapur askush(telefonin), pastaj kam ardhur këtu. Po dëshirojmë t’i bëjmë privat që t’i marrim rezultatet më shpejt, që ta mbrojë familjen, fëmijët, pleqtë”, tregon njëri nga qytetarët, me të cilët ka folur Radio Evropa e Lirë, e që ishte duke pritur në radhë për t’u testuar.

    Histori të ngjashme të pritjes ka edhe gazetari Fisnik Dërguti. Ai tregon se vetëm në ditën e katërt pasi kishte bërë testin, ka arritur ta marrë rezultatin.

    Për t’i parë rezultatet e testit në të cilin kishte rezultuar negativ, ai u detyrua të shkonte te laboratori, pasi që të njëjtit nuk i kthyen përgjigje për disa ditë.

    “E bëra testin, thashë për sa bëhet? Më thanë për 48 orë. U thashë në rregull, ja numrin tim dhe emailin. A mund të ma dërgoni në email? Prita 48 orë, fillova të thërras në telefon, njëri e hapi telefonin dhe më tha: unë jam në qendër të thirrjeve, nuk jam në laborator. Thirra përsëri, u bënë 30-40 herë që telefonova, u bënë tri ditë dhe nuk përgjigjej askush”, thotë Dërguti.

    Për të bërë këtë test, ai ka paguar 65 euro.

    Një përvojë të tillë, me mospërgjigje ndaj thirrjeve telefonike për dy ditë me radhë, e ka pasur edhe ekipi i Radios Evropa e Lirë. Njëri nga laborantët e këtij laboratori i tha REL-it gjatë një vizite në laborator, se ‘nuk ka asnjë termin të lirë për të bërë teste deri me datën 25 gusht’.

    Kjo, sipas tij, është edhe arsyeja se përse nuk u përgjigjen telefonatave të qytetarëve. Ai nuk ka treguar se sa teste brenda ditës janë duke i kryer.

    Përveç laboratorit mjekësor të mikrobiologjisë klinike “Medical & Laboratory Services” në Prishtinë, i licencuar për të kryer testime me metodën PCR, është edhe laboratori mjekësor klinik “UBT” në Lipjan.

    Pronari i këtij laboratori, Edmond Hajrizi, thotë shkurt se ende nuk janë duke bërë teste me metodën PCR.

    “Kemi pritur materialet e furnizimit. Fillimisht merret licenca pastaj ke të drejtë për furnizim. Ne mendojmë që prej të hënës, prej javës së ardhshme gjithsesi do të fillojmë. Prej nesër mund të jemi gati edhe për testet serologjike të fillojmë, por prej javës së ardhshme prej të hënës, do të jemi të gatshëm të presim pacientë”, thotë Hajrizi.

    Në Kosovë u licencuan 87 laboratorë privatë për teste serologjike dhe virologjike për koronavirus. Testi virologjik me metodën PCR tregon nëse virusi është aktiv, duke analizuar strishot nga hunda dhe fyti.

    Kurse, përmes testeve serologjike, qytetarët mund të mësojnë nëse e kanë tejkaluar koronavirusin dhe nëse kanë krijuar antitrupa kundër COVID-19, sëmundjes që e shkakton ky virus.

    Lidhur me ankesat e qytetarëve të premten ka folur edhe kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi. Ai i ka ftuar të gjithë qytetarët dhe mediat që të raportojnë çdo parregullsi që mund të ndodhë në këta laboratorë rreth çmimit dhe në ofrimin e shërbimeve. Sa i përket çmimeve për kryerjen e testeve, ai thotë se janë në nivel të konkurrueshmërisë.

    “Sipas analizave të deritashme, çmimet e shërbimeve molekulare dhe serologjike janë në nivel të konkurrueshmërisë, të ndryshme në komuna dhe regjion, çmimet janë transparente ka ndryshime të çmimeve në laboratorë të ndryshëm dhe qytetarët kanë mundësi të bëjnë zgjidhje sipas preferencave apo buxhetit”, thotë Prestreshi.

    Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Armend Zemaj, deklaroi të enjten se do të decentralizohet procesi i testimeve, në mënyrë që të testohen sa më shumë qytetarë.

    “Nga informacionet dhe raportet zyrtare që kam marrë, deri më tani nuk ka ndonjë vërejtje në aspektin shkencor dhe cilësinë e atyre laboratorëve që i japin këto shërbime. Ndërsa, nevoja për testime është duke vazhduar dhe ne jemi në përfundim të procedurave të zgjerimit të testimeve në gjashtë qendrat rajonale të shëndetit publik, edhe me laboratorë molekularë dhe serologjik”, tha Zemaj.

    Ministria e Shëndetësisë ka thënë se deri në fund të këtij viti është menduar t’i ketë 100 mijë teste virologjike dhe dyfishin e testeve serologjike, me të cilat do të testohet popullata në mënyrë që të diagnostikohet COVID-19.

    Megjithatë, edhe pas licencimit të laboratorëve privatë, në njoftimet ditore të Institutit të Shëndetësisë Publike të Kosovës, nuk është rritur numri i testimeve të kryera brenda 24 orëve – deri në 500 në ditë.

    Që nga fillimi i pandemisë në muajin mars, numri total i rasteve pozitive është 12.168, nga 46.452 raste të të dyshuarve me virusin SARS-CoV-2, ndërsa kanë vdekur 448 persona. /REL

    Nga Rubrika
    Lajme09 Janar 2025
    Hasan Shala, ish-kryetar i Gjykatës së Apelit, për Front Online, ka kritikuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për mosshfrytëzimin e të drejtës...
    Lajme09 Janar 2025
    Ish-drejtori i Burgjeve të Kosovës, Sokol Zogaj, për Front Online  ka komentuar veprimet e Presidentes Vjosa Osmani, për moslejimin e faljes së...
    Lajme09 Janar 2025
    I dërguari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është takuar në New York me zëvendës Sekretaren e Përgjithshme të OKB-së për Çështjet...
    Të tjera
    Lajme09 Janar 2025
    Për ish-kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, kryeministri aktual Albin Kurti ka cenuar marrëdhëniet e Kosovës me partnerët e saj, veçanërisht me SHBA-në....
    Bota/Rajoni09 Janar 2025
    Presidenti Joe Biden miratoi të mërkurën një deklaratë federale për gjendje emergjence për Kaliforninë, që do të autorizojë fonde dhe burime për...
    Vip08 Janar 2025
    Xheneta ka konfrontuar Leo-n për ofendimin që i ka bërë mbrëmë teksa e konsideroi ”Gold Digger”. Ajo u shpreh se asnjëherë nuk...
    Vip08 Janar 2025
    Ish-banorja e “Big Brother VIP Kosova”, Anisa, ka shkaktuar reagime me qëndrimin e saj ndaj vendimit të Gjestit për t’iu bashkuar “Big...
    Sport08 Janar 2025
    Edon Zhegrova është duke e luajtur sezonin më të mirë në karrierën e tij, me fanellën e Lille, si në Ligue 1...
    Vip08 Janar 2025
    Sara dhe Driloni kanë shijuar një darkë romantike brenda shtëpisë së ‘Vëllait të Madh’ teksa bashkë shoshitën gjithë raportin dhe ndjesitë e...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.