Gati tre të katërtat e votuesve në zgjedhjet presidenciale të së martës thonë se demokracia amerikane është nën kërcënim, sipas anketimeve paraprake në nivel kombëtar nga firma “Edison Research”, duke reflektuar ankthin e thellë me të cilin përballet vendi pas një fushate të nxehtë elektorale ndërmjet kandidates demokrate Kamala Harris dhe kandidatit republikan Donald Trump.
Demokracia dhe ekonomia renditen deri tani si çështjet më të rëndësishme për votuesit, me rreth një të tretën e të anketuarve që përmendin secilën, të ndjekur nga aborti dhe emigracioni me 14% dhe 11%, treguan të dhënat. Anketimi tregoi se 73% e votuesve besonin se demokracia ishte në rrezik, kundrejt vetëm 25% që thanë se ishte e sigurt.
Një aspekt që ndihmoi për mbarëvajtjen e votimit në ditën e zgjedhjeve ishte fakti se dhjetëra miliona amerikanë kishin hedhur paraprakisht me postë votat e tyre. Ndër ta ishin një numër rekord votuesish në Xhorxhia, Karolinën e Veriut dhe shtete të tjera të fushëbetejës që mund të përcaktojnë fituesin./VOA/