Anëtari kroat i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Zhelko Komshiq, ka thënë se Kosova është shtet i pavarur dhe se një çështje e tillë s’ka pse diskutohet.
“Kosova është një shtet i pavarur. Ky është fillimi dhe fundi i rrëfimit”, ka thënë Komshiqi, në një intervistë për një medium nga Sarajeva.
Komshiqi thotë se është çështje tjetër nëse dikush e pranon një fakt të tillë apo jo.
“Unë e respektoj një qëndrim të tillë, por unë s’mund të jetoj në një mënyrë që t’i bëjë kosovarët dhe Kosovën armiq të Bosnjë e Hercegovinës. Dua t’ua tregoj atyre vullnetin e mirë dhe pranimin e realitetit. Ne duhet të punojmë bashkë me Kosovën”, ka thënë Komshiqi.
Në këtë intervistë ai ka folur edhe për publikimin e transkriptit të takimit me Dodikun, ku ishte diskutuar për njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Komshiqi ka thënë se fjalët e Dodikut në atë transkript ishin ndryshuar.