Organizata e Prodhuesve dhe Eksportuesve të Naftës (OPEC) dhe aleatët e tyre, përfshirë Rusinë, do të rrisin prodhimin ditor me 648,000 fuçi gjatë korrikut dhe gushtit, duke sjellë lehtësim për tregun dhe ekonominë globale pas rritjes së çmimeve të energjisë dhe rritjes së inflacionit.
Administrata Biden përshëndeti vendimin e rëndësishëm të OPEC dhe theksoi rolin e rëndësishëm të Arabisë Saudite si prodhuesi më i madh brenda organizatës.
“Ky njoftim përshpejton përfundimin e marrëveshjes aktuale, e cila ka qenë në fuqi që nga korriku i vitit të kaluar, dhe sjell një rritje mujore të prodhimit që ishte planifikuar më parë për shtatorin”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre.
Edhe pse Arabia Saudite ka refuzuar më parë kërkesat e SHBA për të rritur prodhimin mbi kuotat e përcaktuara më parë, zhvillimet e fundit dhe kriza globale, si dhe shqetësimet se çmimet e larta mund ta sjellin botën në recesion, e kanë detyruar Arabinë Saudite të ndryshojë politikën.
Ish-këshilltari i SHBA-së për Energjinë i ish-Presidentit të SHBA George W. Bush Robert McNally tha se masa e OPEC-ut është një gjest i rëndësishëm simbolik.
Kjo pritet të ndikoj edhe në rënien e çmimeve të karburanteve. Pas njoftimit të OPEC, çmimi i naftës Brent u rrit lehtë me 0.5 për qind në 116.94 dollarë për fuçi./FrontOnline/