Sulmuesi Andi Zeqiri ka kontribuar me dy gola në fitoren e Standard Liege ndaj St.Truidense në kuadër të javës së 13-të në elitën e futbollit belg.
Zeqiri në këtë ndeshje ishte vendimtar duke treguar një paraqitje spektakolare, me të dy golat e shënuar në pjesën e parë.
Fillimisht ai realizoi në minutën e 33-të për rezultatin 1-0 pas asistimit të Aiden O’Neill teksa golin e dytë e gjeti në minutën e 45-të pasi u tregua i saktë nga penalltia për 2-0.
Me këta dy gola të realizuar, Zeqiri shkon në kuotën e katër golave këtë sezon pas nëntë ndeshjeve të luajtura, teksa ka edhe një asistim.
25-vjeçari do ta ketë mundësinë që t’i përmirësojë këto shifra javën e ardhshme kur Standard Liege do të luajë në udhëtim ndaj Gent.
Kujtojmë se Zeqiri po luan tek ekipi aktual në formë huazimi nga Genku deri në fund të sezonit, por që ata kanë edhe opsionin e blerjes së kartonit të tij. /telegrafi