Carlo Ancelotti u pa mbrëmë i nervozuar derisa Real Madridi u mposht nga Liverpooli me rezultat 0:2 në xhiron e pestë të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve.
“Los Blancos” vazhduan me formë të zbehtë, ndërsa po përballen me lëndime të shumta e të shpeshta në këtë edicion, të cilat po ua pamundësojnë që t’i shfaqin vlerat e tyre.
Edhe mbrëmë ekipi ishte i përgjysmuar dhe kjo u vërejt në fushën e blertë, ku dominuan “Reds” në “Anfield Road”.
E përkundër humbjes së tretë në këtë sezon në Champions, ish-trajneri i Juventusit, Milanit, Chelseat, Paris Saint-Germainit, Bayern Munichut, Evertonit e Napolit, beson se madrilenët do të kualifikohen në të tetën e finales, si zakonisht.
Kampionët spanjollë dhe evropianë duhet t’i fitojnë tri ndeshjet e mbetura për të shpresuar që të futen në Top 8, por më i mundshëm duket opsioni që të kenë ndeshje të tjera për të shkuar në të tetën e finales. “Do të kualifikohemi në raundin tjetër dhe do të garojmë si çdo vit. Do ta shihni”, deklaroi trajneri italian pas ndeshjes.
Kylian Mbappe e humbi penalltinë mbrëmë duke e konfirmuar krizën personale.
Por, “Don Carlo” e mbrojti ish-futbollistin e Paris Saint-Germainit, për të cilin beson shumë se do të këndellet.
“Mbappe luajti mirë, ai e ka mbështetjen tonë të madhe, shumë shpejtë do ta bëjë më të mirën”, u shpreh tutje Ancelotti. /Gazeta Express/