Analisti politik, Lavdim Hamidi në Euronews Albania e cilësoi Lëvizjen Vetëvendosje si një parti që ka pësuar një rritje të madhe edhe pas zgjedhjeve të vitit 2019.
“Subjekti Lëvizja Vetëvendosje ka pësuar një rritje mbi 100% në krahasim me vitin 2019 dhe një sukses që nuk e ka arritur deri më tani asnjë subjekt politik në periudhën e pasluftës në Kosovë”, u shpreh analisti.
Në lidhje me rezultatin e deritanishëm të zgjedhjeve në Kosovë, ai tha se kryeson Vetëvendosja, e cila tashmë ka një përgjegjësi shumë të madhe, atë të qeverisjes së vendit.
Zoti Hamidi renditi edhe arsyet, të cilat sipas tij i shtynë një pjesë të mirë të qytetarëve të Kosovës, që të votojë për Lëvizjen Vetëvendosje.
Zhgënjimi i madh i qytetarëve me klasën e vjetër politikë nga paslufta deri më tani, shkalla e lartë e korrupsionit dhe rrëzimi i qeverisë në një kohë pandemie, kur ajo nuk kishte me shumë se 50 ditë qëndrimi në pushtet, janë disa nga arsyet”, u shpreh zoti Hamidi.