Ideja e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj për referendum për bashkim me Shqipëri në rast se BE-ja nuk i plotëson premtimet e saj ndaj Kosovës, ka bërë jehonë të madhe. Deklarata e Haradinajt nxiti reagimin edhe të eksponentëve politikë në Serbi, e gjithashtu së fundi ishte edhe MPJ-ja Ruse ajo e cila përmes një kumtese për media idenë e Haradinajt e cilësoi si provokuese dhe të dëmshme për paqen në Ballkan. Në reagimin e MPJ-së Ruse thuhet se deklarata e Haradinajt është provokim i radhës nga Haradinaj, në implikimin e idesë për Shqipërinë Madhe, e cila ide, sipas tyre kohët e fundit po përparon.
Kjo deklaratë e Haradinajt është bërë pothuajshe temë kyçe e debateve në televizionet tona, ku shumë opinionistë deklaratat e Haradinajt i shohin si diçka pozitive në këtë momentum.
Së fundmi këtë ide e ka mbështetur edhe analisti politik Arton Demhasaj.
Ai ripërsëriti fjalët e Haradinaj, ku tha se nëse deri në vitin 2025 nuk kemi njohje të 5 vendeve të BE, nuk fillon anëtarësi, nuk kemi liberalizim, përndryshe ne mund të iniciojmë një referendum që mund të jetë i suksesshëm i bashkimit me Shqipërinë.
‘Po unë e kam këtë (mendim), që nëse ne kemi një çështje të hapur me BE, që është çështja e liberalizimit të vizave dhe kjo çështje po mbetet peng përkundër që të gjitha raportet janë pozitive, janë kaluar gjitha kushtet dhe ka mbetur çështja te Këshilli, vetëm të votohet në Këshill, dhe ata nuk po e votojnë, tash, kjo është një kartë shumë pozitive të cilën duhet ta kemi ndaj BE, që ne e kemi një kohë të caktuar që mund të presim deri në këtë kohë çështjen e njohjes së 5 vendeve të BE, çështjen e fillimit të anëtarësimit, çështjen e liberalizimit e këto, përndryshe ne mund të iniciojmë një referendum që mund të jetë i suksesshëm i bashkimit me Shqipërinë’