Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marr vendim të martën që të jetë prezente në seancën për votimin e Presidentit. Ky vendim i kryesisë së LDK-së ka ardhur pas dy takimeve që ka pasur kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, me Kandidaten për Presidente Vjosa Osmani.
Njohësit e çështjeve politike thonë se vendimi i LDK-së për të qëndruar në sallë në ditën kur do të votohet Osmani për Presidente, erdhi nga frika e zgjedhjeve të reja. Analisti Arton Demhasaj thotë se kjo është strategji e LDK-së për të arritur rezultat më pozitiv në zgjedhje lokale.
“Kjo mundet me e ndihmu që LDK-ja me dalë me rezultat ma pozitiv në zgjedhje lokale, kjo mendoj se mundet me qenë arsyeja kryesore e LDK-së për me votu ose me kriju kuorumin për Vjosa Osmanin”, tha ai për Front Online.
Analisti tjetër, Shkodran Ramadani, thotë se vendimi LDK-së nuk nënkupton se mes dy partive ka kompromis, por siç e quan ai është imponim.
“Kjo ka ndodh për shkak të presionit, shantazhit dhe kërcënimit për me shku në zgjedhje të reja , edhe partitë opozitare pra dorëzohen përballë këtij presioni, nuk ka konsensus, nuk ka kompromis, është thjesht imponim. LDK-ja dëshiron me ndërtu raport konstruktiv me VV-në, po dëshiron me shmang konfliktin”, ka thënë ai për Front Online.
Pro zgjedhjes së Osmanit në postin e presidentit janë deklaruar edhe komunitet jo shumicë. Kundër ka dalë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ku sipas kreut të kësaj partie, Kurti dhe Osmani nuk kanë kërkuar të bëhet pjesë e një marrëveshje. Edhe nga Partia Demokratike e Kosovës kanë thënë se nuk do ta votojë Osmanin. Kreu i saj, Enver Hoxhaj thotë se Osmani është figurë “përçarëse” dhe funksionon nën diktatin e Kurtit./Front Online/