Me përkrahjen e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës është votuarLigji për Rimëkëmbje ekonomike. Nga kjo parti e mohojnë se kjo mbështetje është dhënë në kompensim të futjes në qeveri, apo mbështetjen për kandidatin e saj për postin e presidentit. E analistët shprehin mendime të ndryshme për këto qëndrime të partisë opozitare.
Vota e Partisë Demokratike të Kosovës për Ligjin për rimëkëmbjen ekonomike sipas zëdhënësit Avni Bytyqi, nuk ka të bëjë as me hyrjen e këtij subjekti në Qeveri e as me postin e presidentit.
“Kjo nuk ka të bëjë fare as me çështjen e futjes në qeveri e as me presidentin. Kjo është qasje e PDK-së: Opozitë ndaj qeverisë por jo ndaj qytetarit. PDK-ja ka kërkuar që nga fillimi i pandemisë që të kemi masa konkrete për bizneset dhe qytetarët e sidomos për kategoritë që janë në front kundër pandemisë”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Avni Bytyçi.
Analisti Fitim Salihu thotë se gjasat për tu futur PDK-ja në Qeveri po duken të vogla. Ai vlerëson se kjo parti ka dalë mjaft mirë në opinionin publik për qëndrimet që ka mbajtur në raport me ligjin për rimëkëmbje ekonomike.
“Ne mund vetëm të spekulojmë, por deri tani nga ajo që është deklaruar nga zyrtarë të lartë të PDK-së, ata nuk e kanë ndërmend të futen në qeveri. Për çështjen e presidentit pritet të shihet çfarë do të del nga një tryezë që është thirr, por presioni do të jetë te qeveria”, deklaroi Fitim Salihu.
E analisti Rasim Aliaj thotë se me veprimet e saj politike, PDK-ja është duke e shtruar rrugën për hyrje në Qeveri.
“Mund të kemi një përfshirje të PDK-së në koalicionin aktual. Opsioni tjetër mbetet që PDK të dërgoj emrin e një kandidati për president. E gjitha kjo mund të jetë edhe për shkak të rezultatit të zgjedhjeve në Podujevë”, deklaroi Rasim Alija.
Kryeministri Avdullah Hoti ditë më parë kishte paralajmëruar një takim të përbashkët me të gjitha partitë politike në vend për postin e presidentit.