Zgjatja e ngërçit institucional për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës po shqetëson gjithnjë e më shumë opinionin publik, ndërsa analistët politikë vlerësojnë se vendi po kalon një moment kritik për funksionalizimin e institucioneve.
Me gjashtë dështime radhazi për zgjedhjen e Albulena Haxhiut si kryeparlamentare, analistët theksojnë se bllokada nuk mund të zgjidhet pa një kompromis mes partive të mëdha dhe gatishmëri për marrëveshje.
Por ka edhe nga ata që paralajmërojnë zhbllokim të situatës qysh nesër, pasi paralajmërojnë se njëra nga partitë opozitare do të lëshoj pe për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Maliqi: Opozita t’ia votoj VV-së kandidatin për kryetar Kuvendi – Ambasadat që kanë sjellë zgjidhje, tani janë të hutuara
Analisti politik Shkëlzen Maliqi për FrontOnline ka komentuar situatën e krijuar pas dështimeve të njëpasnjëshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, duke vlerësuar se bllokada aktuale nuk mund të zgjidhet pa një hap konkret nga njërën prej palëve.
Sipas tij, megjithëse zgjidhje ekzistojnë, ato nuk po funksionojnë për shkak të partive politike.
“Nuk i kam mendu opsionet. Presidentja duhet me ndërmarrë diçka, por nuk e di se çka do të mund të bënte. Ajo mund të vazhdojë me procedura pas zgjedhjes së kryeparlamentarit. Nuk kam ndonjë ide se çka duhet me bërë,” deklaroi Maliqi, duke shprehur pasiguri për rolin e mundshëm të presidentes në këtë fazë.
Ai theksoi se në situata të tilla, historikisht ka qenë një “faktor i tretë” që ka ndihmuar në gjetjen e zgjidhjes, por këtë herë edhe ndërkombëtarët duket se janë në dilemë.
“Zgjidhje ka, por nuk po funksionojnë. Gjithmonë ka qenë faktori i tretë që ka sjellë zgjidhjen, tash edhe ambasadat janë të hutuara,” u shpreh Maliqi për FrontOnline.
Sipas tij, një kompromis është i domosdoshëm dhe hapi i parë duhet të vijë nga opozita, e cila, sipas tij, duhet të lejojë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Duhet të lëshojë pe dikush nga dy palët. Por opozita duhet me ia votu kryetarin e Kuvendit VV-së, sepse nuk është pozicion i rrezikshëm,” tha ai.
Maliqi vlerëson se vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të nisë zyrtarisht procesi për formimin e Qeverisë.
“Pastaj hapet rruga për formimin e Qeverisë. Nëse VV nuk e formon, vazhdohet me partinë tjetër, nëse as ajo nuk e formon, le të shkohet në zgjedhje, siç është e paraparë,” përfundoi ai.
Matoshi: Kurtit i duhet marrëveshje politike me tjerët, jo ndërrimi i emrave për poste publike
Analisti politik Halil Matoshi ka folur për FrontOnline një ditë para vazhdimit të seancës për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, duke kritikuar qasjen e kreut të LVV-së, Albin Kurti dhe mungesën e gatishmërisë për marrëveshje politike.
Matoshi ka theksuar rëndësinë e kompromisit në politikë.
“Politika është marrëveshje që nga Roma e lashtë (concordia), por edhe negociim dhe mbi të gjitha kompromis.” tha ai.
Sipas tij, kjo qasje duhet t’i përcillet Kurtit nga dikush “i urtë e i ditun”, pasi, siç thekson ai, “Ai po e shkatërron këtë ide fisnike me kryeneçësi.” tha ai për FrontOnline.
Në deklaratën e tij, Matoshi nënvizon se zgjidhja për krizën aktuale nuk gjendet në ndërrimin e emrave për poste publike, por në arritjen e një konsensusi politik.
“Kurtit i duhet marrëveshje politike me tjerët, jo ndërrimi i emrave për poste publike!” potencoi ai.
Avni Arifi: Nëse VV nuk i ka numrat për formimin e Qeverisë, nuk lëshon pe nga ndryshimi i kandidatit për kryetar Kuvendi
Analisti politik, Avni Arifi, ka komentuar mbi situatën e krijuar rreth zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se partitë politike opozitare nuk do të mbështesin kandidaturën e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ai e vlerëson si të mundshme ndryshimin e kandidatit për kryetar Kuvendi nga VV, por kjo do të varet nga aftësia e partisë për të siguruar numrat e nevojshëm për formimin e Qeverisë.
“Është e qartë që partitë politike nuk do t’ia votojnë opcionin që VV ka ofruar për kryetar Kuvendi,” tha Arifi, duke theksuar se VV ka ende mundësi të propozojë kandidatë të tjerë për këtë pozicion, duke pasur 47 deputetë që mund të mbështesin një kandidat të ri.
Ai e vlerësoi si të mundshëm ndryshimin e kandidatit për kryetar Kuvendi, por nënvizoi se kjo do të ndodhte vetëm nëse VV do të kishte numrat e nevojshëm për të formuar Qeverinë.
“E pritshme që VV ta ndryshojë kandidatin, por se a do të ndodhë javën tjetër varet edhe nga ajo se a i ka numrat VV për krijimin e Qeverisë. Nëse jo, është logjikë që nuk do ta ndryshojë shpejt kandidatin,” u shpreh Arifi për FrontOnline.
Sipas tij, një hap i duhur do të ishte që paraprakisht VV të arrijë një konsensus me partitë tjera për të arritur një emër të përbashkët për kryetarin e Kuvendit.
“E mira do të ishte që paraprakisht VV të arrijë konsensus me këto parti për emrin që do ta votonin, por me VV është më vështirë të besohet,” përfundoi analisti Arifi.
Sadiku: AAK ose NISMA do ta votojnë kryekuvendarin – zhbllokimi do të ndodhë nesër
Analisti politik Arbnor Sadiku për FrontOnline ka paralajmëruar mundësinë e zhbllokimit të situatës politike në Kuvendin e Kosovës, duke deklaruar se njëra nga partitë opozitare, AAK ose NISMA, pritet të japë votën për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
“AAK ose NISMA do e votojë kryekuvendarin,” ka thënë Sadiku, duke lënë të kuptohet se për herë të parë pas gjashtë dështimeve radhazi, ekziston një shans real që Kuvendi të zgjidhë kryesinë dhe të ecë përpara me hapat e tjerë institucionalë.
Ai shtoi se situata mund të marrë kthesë pozitive që në seancën e nesërme.
“Po, AAK do e votojë nesër kryekuvendarin dhe do të ketë zhbllokim të situatës.” tha ai.
Sa i përket krijimit të Qeverisë, Sadiku përmendi edhe rolin e Presidentit që sipas tij është në Pazar.
“Për Qeveri mund të shikohet edhe Presidenti, i cili sigurisht është në pazar,” deklaroi ai,
Ai ka shtuar se e vetmja rrugë reale për krijimin e ekzekutivit mbetet një marrëveshje mes Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës.
“E vetmja mundësi është që VV të bëhet me PDK-në në koalicion,” përfundoi Sadiku.