Në ditën e hënë kanë filluar takimet e thirrura nga ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmanit dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me krerë të partive të tjera politike në vend.
Ftesat janë bërë nga Osmani dhe Kurti, pasi që partia e këtij të fundit në koalicion me iniciativën e Osmanit kanë fituar mbi 50 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.
Kurti dhe Osmani në takimet e tyre po kërkojnë bashkëpunimin e partive të tjera politike për konstituimin e institucioneve të reja.
Takimet e sotme, analisti politik Arton Demhasaj, po i sheh si fokusim tek ideja e kuorumit si dhe tek zgjedhja e presidentit.
Sipas tij, pritet koordinim dhe mirëkuptim mes partive politike për çështjen e presidentit.
“Tashmë e dimë që Kushtetuta parasheh që 80 deputetë duhet me qenë të pranishëm në Kuvend që të votohet presidenti, unë mendoj se pas këtij rezultati zgjedhor pritet koordinim dhe mirëkuptim mes partive politike”, tha Demhasaj.
Ai tha se vendimi i LDK-së për t’ia bërë kuorumin Vjosa Osmanit do të merret nga lidershipi i ri i kësaj partie dhe do të varet kryekëput nga tendenca ose jo për t’a rikthyer Vjosa Osmanin në LDK.
“LDK i ka para vetes dy zgjidhje, që janë strategjike, e para në rast se ka me pas tendenca nga lidershipi i ri i LDK-së me rikthy Vjosen, atëherë me gjasë mund të mos e votojnë për shkak se dëshirojnë me rikthy në parti, në rast se ka tendenca mos me e kthy në parti po në njëfarë mënyre me eleminu nga gara, dhe me hy në kuvend me kriju kuorumin me zgjedh presidentin, që në një farë mënyre me i lëshu rrugë e me rikthy atë që e humben në këto zgjedhje”, thotë ai për Front Online.
Analisti tjetër politik, Shkodran Ramadani, mendon se marrëveshja për kuorumin për Vjosa Osmanin do të bëhet me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe jo me Partinë Demokratike të Kosovës.
“Janë deputetët e LDK-së që kanë me qëndru, qoftë përmes një marrëveshjeje, qoftë përmes përqendrimeve të tyre, qoftë zgjedhjes së saj në mënyrë që mos me pas bllokada institucionale dhe mos me ardh zgjedhjet e reja”, tha ai për Front Online.
Ramadani potencoi se kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, nuk asnjë gjasë për t’u bërë president, përkundër insistimit dhe kokëfortësisë së tij.
Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka shënuar fitore bindëse, duke siguruar 58 ulëse në legjislaturën e re.
Sipas rezultatit përfundimtar, Partia Demokratike e Kosovës do të ketë 19 ulëse në kuvend, Lidhja Demokratike e Kosovës, 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të ketë 8 deputetë./Front Online/