Floreta Faber, ambasadorja e Shqipërisë në SHBA ka rezultuar pozitive me COVID-19. Lajmin e ka bërë vetë me dije ambasadorja përmes një postimi në Facebook.
Ajo shprehet se është testuar pozitivisht në Uashington sapo është kthyer nga Shqipëria.
“Të dashur miq, Sot u ktheva nga Shqipëria pas një udhëtimi pune dhe pasdreke arrita në Uashington. Sapo zbrita në aeroport, si masë profilaktike bëra testin e Covid-19. Përgjigja ishte POZITIV. Ju njoftoj nëpërmjet këtij mesazhi, pasi këto ditë kam zhvilluar shumë takime pune me mjaft zyrtar dhe kolegë, si dhe kam takuar pa fund shokë e miq, familjarë dhe njerëz të afërm, të cilët nuk i njoftoj dot një nga një. Unë u testova negativ ditën kur u nisa drejt Shqipërisë. Në çdo ambient apo takim, zyrtarë apo miqësor, kam mbajtur maskë dhe kam ruajtur distancën e kërkuar, por qartësisht jo mjaftueshëm. Mos i hiqni në asnjë moment maskat. Uroj më të mirën për secilin nga ju!”