Ambasadori Palestinez në Beograd, Mohamed Nabhan, ka folur për hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, i cili ka thënë se Kosova nuk është shtet, dhe ka filluar shkeljen e ligjit ndërkombëtar që nuk do të mbetet pa u ndëshkuar.
“Kosova, e cila ende nuk është shtet, ka filluar shkeljen e ligjit ndërkombëtar në dëm të popujve tanë, jo vetëm në Ballkan, por edhe në Lindjen e Mesme dhe kjo nuk do të mbetet pa u ndëshkuar”.
Sipas tij, Kosova ka vepruar edhe kundër pozicionit që e ka Bashkimi Evropian sa i përket Jerusalemit
“Është një sulm ndaj të drejtave tona dhe njerëzve tanë. Kosova kështu po i shkel të drejtat e popullit palestinez për shtetin dhe kryeqytetin e saj. Prishtina po shkel po ashtu të drejtën ndërkombëtare, sepse Jerusalemi është okupuar nga Izraeli që nga viti 1967, dhe që një vend të bëhet anëtar i organizatave ndërkombëtare dhe Kombeve të Bashkuara, duhet t’i përmbahet të drejtës ndërkombëtare”, ka thënë Nebahan.
Ai ka shtuar se është në konsultim me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Palestinës dhe ka paralajmëruar se tash e tutje do të ndërmarrin hapa në dëm të Kosovës, kështu ka thënë në një intervistë për Kosova Online, transmeton Insajder.
“Do të ndërmarrim hapa që nuk do t’i pëlqejnë Kosovës në nivelin e Ligës Arabe dhe Bashkëpunimit Islamik. Kosova nuk është anëtare e asnjërës prej këtyre organizatave, por shumë prej tyre e kanë pranuar të ashtuquajturën Kosovë, dhe do të kërkojmë nga ato vende që tash ta shqyrtojnë vendimin e tyre për ta pranuar Kosovën”.