Ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, bashkë me zëvendësshefin e misionit, Chiara Castaldo, kanë shkuar dje në një vizitë në KFOR ku u takuan me komandantin e Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe (MSU) të misionit të NATO-s në selinë e MSU-së, në Prishtinë.
KFOR tha se ata shkëmbyen mendime mbi “zhvillimet më të fundit të sigurisë, duke përfshirë aktivitetet e KFOR-it sipas mandatit të OKB-së dhe mbështetjen e tij të përditshme për dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.
KFOR-i përsëriti se vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, “në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”.
KFOR-i gjithashtu potencon se është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), përkatësisht, me të cilët thotë se punojnë në koordinim të ngushtë.