×
  • Lajme
  • Lajme

    Ambasadori gjerman: Kosova të punojë më shumë për t’i bindur skeptikët e vizave

    FrontOnline
    06 Dhjetor 2020

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, thotë se pavarëisht ngecjeve të fundit, ShBA dhe BE kanë qëllimin e njejtë kur bëhet fjalë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Diplomati gjerman në një intervistë për Gazetën Express ka folur rreth aktualitetit politik në vend, Gjykatën Speciale, liberalizimin e vizave dhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

    Rohde thotë se për liberalizimit të vizave, Kosova duhet të punojë për t’i bindur vendet anëtare të BE’së që janë skeptike.

    Ndërkaq rreth punës së Gjykatës Speciale, diplomati gjerman u shpreh se çfarë mund të arrijë një gjykatë që bazohet në sundimin e ligjit është të mos ketë pandëshkueshmëri për krime të kryera nga individët.

    Gazeta Express: Gjermania është kryesuese e Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian në gjysmën e dytë të këtij viti. Pse nuk e ka shtyrë përpara çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën?

    Jorn Rohde: Gjermania dëshiron progres në këtë çështje dhe e ka futur atë në agjendë në Bruksel. Megjithatë, nuk janë bindur akoma të gjitha shtetet anëtare të BE-së. Njëkohësisht është me rëndësi për Kosovën që të angazhohet në mënyrë të drejtëpërdrejtë me të gjitha vendet skeptike në mënyrë që t’i bind ato.

    Gazeta Express: Si pritni Ju të jetë bashkëpunimi në mes të BE-së dhe SHBA-së gjatë Presidencës së Biden-it, veçanërisht për sa i përket dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë dhe a mendoni se do të gjindet formula për një marrëveshje finale gjatë vitit 2021?

    Jorn Rohde: Është e thjeshtë, në të vërtetë. Me gjithë ngecjet e fundit, si BE-ja, ashtu edhe SHBA-ja e ndjekin të njejtin qëllim: normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë. SHBA-ja gjithashtu e mbështet integrimin e plotë të të dyja vendeve në strukturat evropiane. Prandaj unë llogaris në një bashkëpunim të ngushtë dhe të suksesshëm në mes të BE-së dhe SHBA-së sa i përket dialogut dhe përpjekjeve të përbashkëta për një marrëveshje përfundimtare në vitin 2021.

    Gazeta Express: A mendoni se një përfshirje më e madhe e Gjermanisë është e nevosjhme në dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë gjatë ndërmjetësimit të BE-së? 

    Jorn Rohde: Pikësëpari janë Kosova dhe Serbia ato që duhet të merren vesh për çështje të ndryshme. Gjermania ia ka dhënë gjithë mbështetjen e saj përpjekjeve të vazhdueshme të PSBE Lajcak në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe vazhdon ta bëjë këtë. Thirrja ime për të dy palët është kjo: Meqë të dy qeveritë edhe një herë janë zotuar për të qenë serioze përkitazi me dialogun rishtazi në shtator të këtij viti, tani dëshmojeni këtë me vepra dhe ndërtoni mirëbesim! Për shembull: Ka një sërë zotimesh për të cilat janë arritur marrëveshje në Bruksel para disa vitesh, por disa nuk janë zbatuar kurrë, as nga Kosova, as nga Serbia, ose nga asnjëra. Disa nga ato madje nuk janë drejtëprëdrejtë të ndërlidhura me dialogun, por e kanë zënë rrugën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Zbatoni ato tani dhe krijoni besim, i cili mandej e ndihmon suksesin e dialogut, aty ku ka ngecur në të kaluarën.

    Gazeta Express: Presidenti Emmanuel Macron ka paralajmëruar një samit të ngjashëm me atë të Parisit për të diskutuar progresin e dialogut Kosovë-Serbi. A është e ftuar edhe Gjermania dhe çfarë mund të presim nga ky samit?  

    Jorn Rohde: Unë mendoj se nuk është caktuar ende një datë për një ngjarje të tillë, por po, unë supozoj se ajo për të cilën kanë diskutuar presidenti francez dhe kryeministri i Kosovës është një samit tjetër i ngjashëm me atë që është mbajtur në Paris dhe Berlin. Nëse do të ndodhë ai, jam i sigurtë se Gjermania do të merr pjesë. Ne jemi të përkushtuar të konstribuojmë në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe po punojmë në vazhdimësi dhe ngushtë së bashku me partnerët tanë francezë.

    Gazeta Express: Si e shihni politikën e Kosovës pa njerëzit që kanë qenë protagonistë në luftë dhe a besoni se Gjykata Speciale do të sjell drejtësi? 

    Jorn Rohde: Për sa i përket politikës së Kosovës, më lejoni t’ju jap një përgjigje të përgjithshme: Në një demokraci një gjë është e sigurtë: ndërrimi i gjeneratave vjen, herët a vonë. Në shumicën e shteteve evropiane, gjenerata e ashtuquajtur e bumit të foshnjeve, e lindur pas Luftës së Dytë Botërore tashmë ka kohë që e kanë lëshuar skenën aktive politike. Kosova, një shtet shumë më i ri me një popullsi shumë më të re, ndodhet akoma para një ndërrim i tillë të gjeneratave dhe janë votuesit kosovarë ata, të cilët vendosin se kur duhet të ndodh kjo.

    Historia është përplot befasi dhe kthesa të tilla mund të ndodhin papritur: Për mua personalisht si një nga ndryshimet më të mëdha rrënjësore të politikës vendore akoma e konsideroj rastin, kur votuesit britanikë menjëhjerë pas Luftës së Dytë Botërore e larguan Kryeministrin Churchill, i cili sapo kishte fituar luftën dhe e zëvendësuan atë me Clement Attlee-n, sikur donin të thoshin: Churchilli ishte lideri ynë në luftë dhe tani, në paqe na duhet dikush tjetër.

    Për sa i përket Gjykatës Speciale, do të citoja një shprehje të aktivistit gjermano-lindor për të drejtat civile, Bärbel Bohley, cili disa vjet pas rënies së regjimit gjermano-lindor tha: “Ne pritëm drejtësi dhe morrëm sundim të ligjit.” Që nënkupton se asnjë gjykatë nuk mund të zhbëjë atë që ka ndodhur dhe t’i kthejë më të dashurit. Ajo çfarë një gjykatë, bazuar në sundimin e ligjit, mund të arrijë është, të sigurojë se nuk ka pandëshkueshmëri për krime të kryera nga individët. Kjo merr kohë, por do të ngjallë besim që drejtësia do të çohet në vend.

    Gazeta Express: Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, deri sa ka folur për konfliktin në Nagarno-Karabak, tha se as Kosova nuk duhet të mbetet një konflikt i ngrirë me Serbinë, sepse do të shpërthente. A mund të krahasohen këto raste dhe a mendoni se Vucic duhet të jetë më i kujdesshëm me retorikën e tij të luftës?

    Jorn Rohde: Unë nuk mendoj se vlenë të krahasohen këto raste dhe nuk e kam ndër mend të merrem me supozime. Ajo që unë di, është që të dyja vendet janë zotuar për një rrugë të kundërt: e kjo është rruga e dialogut të paqes dhe pajtimit për të arritur një normalizim të plotë të marrëdhënieve të tyre me një qëllim final anëtarësimin në BE.

    Gazeta Express: A duhet Kosova të arrijë unitet politik për të zgjedhur një president të ri?

    Jorn Rohde: Pyetja është se çfarë mendohet me unitet. Në demokraci, sigurisht që ai nuk nënkupton mbështetje 100% për një kandidat. Kjo do të ishte një shenjë shqetësuese e një autokracie. Unitet për mua do të thotë se të gjithë sillen sipas rregullave dhe i zbatojnë ato, si dhe që procesi i zgjedhjes është transparent.

    Gazeta Express: Si e shihni punën e qeverisë përkitazi me menaxhimin e pandemisë Covid-19?

    Jorn Rohde: Së pari, më lejoni të theksoj se asnjë qeveri në botë nuk ka vepruar pa gabime kur është përballur me këtë pandemi të paprecedent. Të gjithë kanë qenë dhe ende janë në fazën e provës dhe gabimeve. Edhe në vendin tim ka diskutime të vazhdueshme lidhur me masat më të mira, për shembull sa i përket vendimeve rreth ashpërsisë së mbylljes. Më duhet gjithashtu të theksoj se në një demokraci, qeveritë mbështeten shumë në bashkëpunimin me dhe disciplinën e qytetarëve të saj për të respektuar vendimet e marrura. Përgjegjësia e qeverisë është të tregojë lidership dhe mandej të zbatojë dhe ekzekutojë vendimet e saj. Teksa i shoh shifrat aktuale në Kosovë, qofshin infeksione të reja, qoftë përqindja e testeve pozitive, apo regjistrat e rasteve aktive dhe ngarkesat e spitaleve, unë shoh dy gjëra, më shumë veprim nga qeveria dhe më shumë disciplinë nga qytetarët.

    Edhe në Gjermani është duke u diskutuar çështja se si të ulen shifrat që të mos ngarkohet sistemi. Për muajt e ardhshëm do të jetë akoma e rëndësishme që të vazhdojmë të mbajmë distancën që nënkupton përmbajtjen nga udhëtimet dhe vizitat tek miqtë, apo të afërmit – në mënyrë që të mbrojmë njëri-tjetrin – e di që kjo është tejet e vështirë marrë parasysh festat para të cilave gjendemi. Por sigurisht që kohë më të mira do të vijnë, kur ne më në fund do të shpërndajmë vaksinat dhe sërish do të mund të vizitojmë njëri-tjetrin.

    Nga Rubrika
    Lajme19 Nëntor 2024
    Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Shkëmb Manaj, ka thënë se Kosovës i duhet një qeveri rugoviste. Ai përmes një postimi...
    Lajme19 Nëntor 2024
    Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, ka marrë pjesë në tubimin e organizuar nga kjo parti në Fushë Kosovë. Aty u bë prezantimi...
    Lajme19 Nëntor 2024
    Subjekt politik, Lista Serbe, ka njoftuar se ka mbajtur një mbledhje në selinë e kësaj partie. Siç thuhet në njoftim është diskutuar...
    Të tjera
    Lajme19 Nëntor 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka besuar Gjykatës Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut lidhur me vendimin që do ta marrë për...
    Sport19 Nëntor 2024
    Në ”Air Albania” po zhvillohet ndeshja mes Shqipërisë dhe Ukrainës. Para përfundimit të pjesës së parë, tifozët e Ukrainsës, në kor kanë...
    Lajme19 Nëntor 2024
    Në transmetuesin publik serb po pretendohet se është shfaqur flamuri i Republikës së Kosovës. Kjo po thuhet se ka ndodhur gjatë një...
    Lajme19 Nëntor 2024
    Kryeministri Albin Kurti, mirëpriti në takim Drejtoren Rezidente të Programit për Kosovë nga Instituti Republikan Ndërkombëtar (IRI), Marta Onorato. Ai e vlerësoi...
    Lajme19 Nëntor 2024
    Në Prishtinë, nën udhëheqjen e Grupit të Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës dhe me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë,...
    Lajme19 Nëntor 2024
    Analisti në Maqedoninë Veriore, Isen Saliu vlerëson se nëse shihet jashtë kontekstit deklarata e kryeministrit Albin Kurti është e dëmshme për shqiptarët....

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.