Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim, reagoi në lidhje me vrasjen e 25 vjeçarit Klodian Rasha gjatë ndjekjes nga një polic.
Pas takimit të zhvilluar me kreun e policisë dhe drejtuesit e opozitës, ambasadorja Kim u shpreh se nevojitet një hetim i plotë dhe transparent për këtë ngjarje.
Diplomatja amerikane ftoi gjithashtu opozitën që të refuzojë dhunën që pasoi vrasjen e të riut.
“Ata që janë në pushtet kanë përgjegjësinë të sigurojnë një hetim të plotë dhe transparent të incidentit, të ushtrojnë përmbajtje në mbrojtjen e sigurisë dhe pronës publike, si dhe të sigurojnë përgjegjësi në të gjitha rastet. Në këtë drejtim, ne vërejmë se autoritetet kanë kapur oficerin në fjalë dhe kanë nisur hetimet”.
“Ata që kërkojnë të jenë në pushtet duhet të shfaqin aftësinë e tyre për të udhëhequr në një mënyrë të përgjegjshme, përfshirë edhe duke refuzuar dhunën. Ata që kanë qenë në pushtet më parë nuk duhet të bëjnë gabimet e së kaluarës, duke sugjeruar se dhuna është e pranueshme”, shkruhet mes të tjerash në njoftimin e ambasadës.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara u bën thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje, në përputhje me përgjegjësitë e tyre, në mënyrë që të drejtat e të gjithë qytetarëve shqiptarë të mbrohen dhe që zërat e tyre, përfshirë atyre në protestë, të kenë mundësi të shprehen dhe të dëgjohen pa dhunë./ A2