Ambasada amerikane në Prishtinë ka dhuruar sot një donacion për Ministrinë e Punëve të Brendshme në kuadër të ndihmës për luftimin e pandemisë COVID-19.
Donacioni përbëhet nga 9800 maska shumë përdorimesh, rreth 6700 palë dorëza dhe dezinfektues.
Pranim-dorëzimin e bënë ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu dhe drejtori i Byrosë Ndërkombëtare për Narkotik dhe Çështje të Sigurisë (INL), Shawn Waddoups.
Ministri Veliu theksoi se donacioni i pranuar sot do t’i ndihmojë MPB-së dhe agjencive ndërlidhëse me ministrinë për kryerjen sa më të mirë, më efikase dhe më të lehtë të detyrave dhe obligimeve të përditshme në funksion të një sigurie dhe mirëqenie më të mirë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
Ndërsa, drejtori i Byrosë Ndërkombëtare për Narkotik dhe Çështje të Sigurisë (INL), Shawn Waddoups, theksoi se SHBA mbeten të përkushtuara ndaj mbështetjes së Kosovës, duke u përgjigjur ndaj kërkesave për menaxhimin e COVID-19 dhe duke ofruar e asistencë për MPB-në dhe agjencitë e saj.
“Arsyeja pse ne jemi të lumtur që po e bëjmë këtë ndihmë, ka të bëjë me sakrificën të cilën ju po bëni për një Kosovë më të sigurt. Policia e Kosovës ka qenë në vijë të parë të frontit për ballafaqim me pandeminë, duke potencuar edhe punën e vazhdueshme të Agjencisë së Forenzikës dhe Akademisë së Kosovës për Siguri Publike nën rrethana sfiduese. Në këtë fazë duhet të jemi vigjilent me atë çfarë është duke ndodhur me situatën me këtë virus dhe të inkurajojmë publikun të marrin masa parandaluese për sigurinë e tyre”, tha ai.
Waddoups tha se do të vazhdojnë të ndihmojnë Kosovën në zbatimin e ligjit, sidomos në përmirësimin e gjendjes së përgjithshme.