
Ambasadat e Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar kanë reaguar ndaj mospunës së Komisionit të Ankesave në Agjencionin e Kosovës për Akreditim, duke thënë që ky veprim po i dëmton institucionet arsimore dhe të rinjtë e Kosovës.
Në deklaratën e përbashkët të publikuar në Facebook, thuhet se janë shumë të brengosur për bllokimin aktual brenda Agjencisë së Kosovës për Akreditim, raporton Front Online.
“Ambasadat e Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar e konsiderojnë arsimin cilësor si përparësi për të ardhmen e Kosovës. Për këtë arsye, ata janë shumë të brengosur për bllokimin aktual brenda Agjencisë së Akreditimit të Kosovës, i cili po vë në rrezik serioz akreditimin e programeve të studimit për vitin e ardhshëm akademik.”, thuhet në reagim.
Tutje ato kanë thënë se institucionet e pavarura dhe transparente, janë kryesore për rregullimin e procesit të akreditimit të programeve arsimore.
Gjithashtu, kanë deklaruar se janë shumë të shqetësuar për mosveprimin aktual të Komisionit të Ankesave të Agjencisë.
“Përtej shkeljes së përgjegjësive të veta administrative duke mos funksionuar, një veprim i tillë parandalon plotësisht akreditimin (ri) akreditimin e madje edhe të programeve më të mira të studimit. Kjo nga ana tjetër ndikon negativisht në institucionet arsimore në fjalë dhe aftësinë e tyre për të ofruar mundësi arsimore për të rinjtë e Kosovës. Të rinjtë janë pasuria më e madhe e Kosovës dhe duhet t’u ofrohen mundësitë më të mira për arsimim, për të mundësuar që ata të hyjnë në tregun e punës, të pajisur me aftësi të duhura profesionale.”, shtuan ato.
Ndërkohë që kanë theksuar se Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar kanë investuar në mënyrë të konsiderueshme në sektorët e sundimit të ligjit dhe arsimit.
“Në këtë drejtim, të tre Ambasadat bashkërisht u bëjnë thirrje autoriteteve përkatëse që të kryejnë funksionet e tyre përkatëse dhe të kryejnë detyrat e tyre siç është paraparë me ligjin e Kosovës.”, shtuan më tej./Front Online/
