Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka bërë ftesë që të votohet në këtë ditë të zgjedhjeve.
Në një shkrim në Facebook, Ambasada thotë se, e ardhmja e Kosovës është në duart tona.
“Në Ditën e Shën Valentimit tregoni dashurinë për vendin dhe familjen tuaj. Votoni! E ardhmja e Kosovës është në duart tuaja”, shkruan Ambasada.
Qytetarët e Kosovës me të drejtë vote sot i drejtohen kutive të votimit nga ora 07:00 deri në 19:00 për të zgjedhur 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës, për legjislaturën e tetë.
Këto janë zgjedhje të parakohshme parlamentare, ku në garën zgjedhore janë 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare.
Ndërsa, numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar është 1 mijë e 52 kandidatë.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit të drejtë vote kanë 1,794,862 qytetarë, ndërsa numri i Qendrave të Votimit në të gjithë Kosovën është 888, me gjithsej 2 mijë e 382 vendvotime.