Me buxhetin më të lartë në histori, kryeministri Albin Kurti ka shpenzuar më së paku në kategorinë e investimeve kapitale, krahas gjithë paraardhësve të tij.
Rreth 2.8 miliardë euro ka qenë buxheti i miratuar i Kosovës për vitin 2022, kur Qeveria Kurti e propozoi dhe e miratoi në Kuvend, nga të cilat 704 milionë euro kanë qenë të planifikuara investimet kapitale, përderisa vitin e kaluar institucionet e vendit kanë arritur t’i shpenzojnë mbi 419 milionë euro, apo 59.5% e buxhetit të planifikuar për investime kapitale, raporton portali Front Online.
Qeveria e ish-kryeministrit Avdullah Hoti nuk ka arritur ta shpenzoj buxhetin e propozuar dhe miratuar në Kuvend, pasi që vendi kishte shkuar në zgjedhje të parakohshme në fillim të vitit 2021.
Paraardhësi i Hotit, Ramush Haradinaj, në vitin 2018 kishte propozuar në Kuvend buxhet të përgjithshëm prej rreth 2.1 miliardë euro, nga të cilat rreth 695 milionë euro investime kapitale. Nga kjo e fundit, në kohën kur Haradinaj ishte kryeministër ishin shpenzuar mbi 530 milionë euro, apo 76.33%, raporton Front Online.
Ish-kryeministri Isa Mustafa në vitin 2015 kishte propozuar në Kuvend rreth 1.6 miliardë euro buxhet të përgjithshëm, nga të cilat mbi 457 milionë euro investime kapitale. Nga kjo e fundit ishin shpenzuar mbi 403 milionë euro, apo 88.3%.
Në vitin 2009 ish-kryeministri Hashim Thaçi kishte propozuar në Kuvend jo më shumë se 1.4 miliardë euro buxhet, nga të cilat mbi 408 milionë euro ishin propozuar investime kapitale, përderisa ishin realizuar 400.3 milionë euro, apo 98%, raporton Front Online.
Përndryshe, Kurti në fund të vitit 2021, në mbledhjen e 43-të të Qeverisë kishte deklaruar se me buxhetin prej rreth 2.8 miliardë euro parashihej investim në arsim e edukim me ndërtimin e 50 çerdheve të reja në tërë vendin, shkollimin falas për të gjithë studentët, si dhe ndarjen e 2 mijë bursave shtesë për studentët më të mirë. Shumica nga premtimet e dhëna në atë kohë nuk janë realizuar vitin e kaluar.
/Front Online/