Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ia ka uruar pozitën e re në LDK Lumir Abdixhikut, atë të kryetarit, raporton Front Online.
Kurti, nëpërmjet një postimi në ‘Facebook’, ka pritur bashkëpunim ndërmjet opozitës dhe qeverisë, si dhe opozitarizëm, siç e quan ai, të fortë në legjislaturën e re, për të cilën nga partia e tij kanë thënë se do konstituohet në fund të marsit.
“Është interes i përbashkët i çdo qytetari të Kosovës që partitë politike të hedhin hapa përpara sa i përket demokratizimit të brendshëm, bashkëpunimit midis opozitës dhe qeverisë për punë të dobishme, por edhe opozitarizmi i fortë për çështje të argumentuara drejt e saktë”, thuhet në postimin e tij.
Postimi i plotë:
Dëshiroj të uroj punë të mbarë për z. Lumir Abdixhiku, i cili është zgjedhur kryetar i ri i LDK-së.
Është interes i përbashkët i çdo qytetari të Kosovës që partitë politike të hedhin hapa përpara sa i përket demokratizimit të brendshëm, bashkëpunimit midis opozitës dhe qeverisë për punë të dobishme, por edhe opozitarizmi i fortë për çështje të argumentuara drejt e saktë.
Nga ana ime, vullneti e korrektësia për bashkëpunim në interes të vendit e në përputhje me verdiktin që qytetarët dhanë në zgjedhjet e 14 shkurtit, nuk do të mungojë asnjëherë.
Të gjithë mund të japim shumë për Kosovën, e askush askujt nuk mundet më t’ia mohojë këtë të drejtë.