Mbrëmë (e shtunë) është mbajtur nata finale e festivalit evropian, ‘Eurovision 2022’.
Pas tri vitesh finale rresht, Shqipëria dështoi që sivjet të kualifikohej në finalen e madhe, pas një përfaqësimi të dobët të bërë nga këngëtarja Ronela Hajati me këngën “Sekret”.
Mesa duket të njëjtën përshtypje për një përfaqësim jo dinjitoz kanë edhe kolegët e saj.
Ka qenë së fundmi këngëtarja e njohur shqiptare, Albërie Hadërgjonaj, ajo e cila së fundmi ka thumbuar Ronelën, duke ua kujtuar ndjekësve të saj përfaqësimin që Rona Nishliu i kishte bërë Shqipërisë në vitin 2012 me këngën “Suus”.
Hadërgjonaj ndau me ndjekësit e saj në InstaStory një video nga performanca e Ronës, e cila ka shënuar arritjen më të madhe të Shqipërisë deri më tani në Eurovision, duke e renditur vendin të pestin në tabelën përfundimtare.
“Me këtë nuk qeshi Evropa po na zbardhi faqen”, shkroi Albëria në InstaStory.
Këngëtarja me prejardhje nga Deçani përndryshe ka qenë fituese e Festivalit të RTSh-së në vitet kur fitorja e këtij festivali, nuk të jepte biletën drejt përfaqësimit të Shqipërisë në Eurovision.
Hera e fundit kur Hadërgjonaj tentoi të merrte pjesë në garën për ta përfaqësuar vendin në Eurovision, ka qenë dhjetori i vitit 2019 me këngën “Ku ta gjej dikë ta dua” – vit në të cilin fituese doli Arilena Ara me këngën “Shaj”, por fatkeqësisht nuk e përfaqësoi vendin për shkak të pandemisë COVID-19. /Telegrafi/