Vendimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike për 15%, mund të ndikojë edhe në ngritjen e çmimeve të produkteve ushqimore.
Kështu po e vlerësojnë ekspertët e kësaj fushe.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu në një prononcim për Front Online vlerëson se pavarësisht rënies së inflacionit, po vazhdon ngritja e çmimeve të produkteve ushqimore.
Sipas tij, kjo ngritje do të vie si shkak i rritjes së çmimit të energjisë elektrike.
“E vërtetë se kriza në Kosovë po rritet çdo ditë e më shumë për kundër asaj që në institucione dhe në qeveri thuhet se ka pozitive, mirëpo ka rënie të inflacionit dhe ngritja e çmimeve po vazhdon tutje është indikatori i parë. Në vendin e dytë Kosova po zbrazet cdo ditë e më tepër dhe në këtë drejtim vet fakti i ngritjes së çmimeve të energjisë elektrike besoj se është një mesazh negativ”, tha ai për Front Online.
Ngjashëm po vlerëson edhe ekonomisti Imer Raqi.
Ai për Front Online thotë se rritja e çmimit të rrymës do të ndikojë negativisht edhe në çmimet e produkteve bazike.
“Rritja e çmimit të rrymës që ka ndodh për 15% ka me pasë efekt negativ në tregun e Kosovës, sepse ka ndikuar direkt tek rritja e çmimeve të produkteve e veçanërisht të produkteve bazike”, deklaroi ai për Front Online.
Sipas Raqit, situata mund të tejkalohet me një ndihmë nga Qeveria, duke ofruar një pako të re mbështetëse për qytetarët.
“Qeveria duhet të marrë masa, pa marr parasysh me çfarë pako, qoftë përmes rritjes së pagave, ende paga minimale në Kosovë nuk është rrit, duhet me pasë pako të tjera stimuluese deri në kalimin e kësaj krize që po përballen qytetarët me rritjen e çmimeve të vazhdueshme”, u shpreh ai për Front Online.
Në Kosovë nga 1 prilli kanë hyrë në fuqi tarifat e reja të energjisë elektrike me rritje prej 15.4%.
Nga shtatori i vitit të kaluar, Qeveria ka subvencionuar të gjithë qytetarët që shpenzojnë më pak energji elektrike në muaj, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak, i cili është ende në fuqi.
Front Online ka pyetur edhe në Ministrinë e Financave sa i përket subvencionimit se a do të vazhdojë, apo nëse do të ketë edhe ndonjë mbështetje nga shteti për qytetarët pas këtyre lëvizjeve të çmimeve, por deri në publikimin e artikullit nuk kemi marrë përgjigje.
Çmimet e prodhimeve dhe shërbimeve në Kosovë, por jo vetëm, kanë nisur të rriten vitin e kaluar. Fillimisht ka qenë pandemia e koronavirusit që ka shkaktuar çrregullime në tregje, e pastaj edhe lufta e Rusisë në Ukrainë./Front Online/