×
  • Lajme
  • Ekonomi
  • Ekonomi

    Alarm nga njohësit e ekonomisë: Inflacioni real po tejkalon shifrat e ASK-së

    FrontOnline
    18 Janar 2026

    Inflacioni në Kosovë ka shënuar rritje në fund të vitit 2025.

    Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) është rritur për 0,7% në muajin dhjetor 2025 krahasuar me nëntorin, ndërsa norma vjetore e inflacionit ka arritur në 5,3% krahasuar me dhjetorin e vitit 2024.

     

    Ahmeti: Dështimet e qeverive në sektorin energjetik  po e ‘’ushqejnë’’  inflacionin dhe po rëndojnë ekonominë

    Drejtori i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, Kushtrim Ahmeti, për Front Online ka thënë se pas publikimit të të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), sipas të cilave inflacioni vjetor në dhjetor 2025 ka arritur në 5,3%, ndërsa Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) ka shënuar rritje mujore prej 0,7%.

    Sipas Ahmetit energjia elektrike mbetet një nga faktorët kryesorë që ka ndikuar në rritjen e inflacionit gjatë muajve të fundit, duke theksuar se ky zhvillim ka qenë i paralajmëruar.

    S’ka dilemë që energjia elektrike konsiderohet një ndër faktorët kryesorë që, gjatë gjithë këtyre muajve, ka ndikuar në rritjen e inflacionit. Nuk po flasim vetëm për të dhënat e fundit, ku inflacioni është raportuar rreth 5%, por edhe për të dhënat e mëhershme që kanë vërtetuar paralajmërimet tona që nga fillimi, kur është diskutuar rritja e çmimit të rrymës për 16,15%, si dhe dalja në treg të hapur e rreth 1.300 bizneseve’’,  ka deklaruar Ahmeti.

    Ahmeti ka thënë se edhe të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës konfirmojnë se energjia elektrike është faktori kryesor që po shtyn rritjen e inflacionit.

    Këto janë konfirmuar edhe nga vetë Agjencia e Statistikave të Kosovës, e cila tregon se faktori kryesor që po ndikon në rritjen e inflacionit është, pa dyshim, energjia elektrike’’, ka thënë Ahmeti.

    Ahmeti ka vlerësuar se problemet strukturore në sektorin e energjisë, si kapacitetet e kufizuara të prodhimit vendor dhe reduktimet, po e detyrojnë Kosovën të mbështetet gjithnjë e më shumë në import të energjisë, e cila është më e shtrenjtë.

    Në anën tjetër, kemi reduktime, kapacitete të kufizuara të prodhimit vendor të energjisë dhe, kur ekzistojnë këto kufizime të brendshme, energjia duhet të sigurohet nga importi. Energjia e importuar, zakonisht, është më e shtrenjtë’’, tha Ahmeti për FrontOnline.

    Ai ka adresuar kritika të drejtpërdrejta ndaj qeverive ndër vite, duke theksuar se mungesa e vizionit dhe e investimeve serioze në sektorin energjetik po i kushton shtrenjtë ekonomisë së vendit.

    “Këto janë pasoja të qeverisjeve të njëpasnjëshme që nga paslufta e deri më sot, të cilat kanë dështuar të planifikojnë seriozisht të ardhmen energjetike të Kosovës. Pa investime në kapacitete të reja prodhuese, vendi mbetet i varur nga importi i energjisë së shtrenjtë, gjë që po e ushqen inflacionin dhe po e godet drejtpërdrejt biznesin dhe qytetarin’’, tha Ahmeti.

     

    ASK raporton 5,3% inflacion, Kaqaniku thotë se qytetarët po përballen me 15%

    Kryetari i Shoqatës së Konsumatorëve, Selatin Kaqaniku, tha se perceptimi i qytetarëve për inflacionin është më i lartë sesa ai zyrtar.

    “Ne si qytetarë konsumatorë, taksapagues në Kosovë, ngritjen e çmimeve dhe shkallën e inflacionit e shohim dhe e llogarisim ndryshe, sepse ky 5% sipas nesh e ka një 1-sh përpara dhe bëhet 15%”, tha ai.

    Ai ka shpjeguar se qytetarët inflacionin e llogarisin më të lartë për shkak të praktikave në treg, ku shpeshherë produktet nuk përputhen me atë që deklarohet.

    “Ne kur blejmë shpesh herë na mungon pesha, vëllimi, sasia, komponentët, skadenca, cilësia e të tjera. Nëse këto llogariten dhe hynë nën çmim, inflacioni del shumë më i lartë dhe me këtë për fat të keq nuk po merret askush”, tha Kaqaniku.

    Kaqaniku tha se shtrenjtimi i energjisë elektrike është një ndër faktorët kryesorë që po ndikon në ngritjen e inflacionit.

    “Ka shumë faktorë, shtrenjtimi i rrymës është një prej faktorëve”, shtoi ai.

    Ai ka paralajmëruar se rritja e çmimeve po merr përmasa shqetësuese dhe se inflacioni rrezikon të vazhdojë edhe gjatë këtij viti.

    “Orteku kur të nis nuk ka të ndalur dhe është shumë keq që të gjithë jemi kapur në këtë valle të ortekut, të gjithë po bëjmë gara për të rrit çmimin në interesin tonë personal dhe askush nuk e ka interesin e shtetit”, tha ai.

     

    Muhaxheri: Inflacioni nuk është fenomen fundviti, është pasojë e dështimit institucional

    Njohësi i ekonomisë, Arton Muhaxheri, në një prononcim për FrontOnline  ka vlerësuar se rritja e inflacionit në Kosovë nuk mund të justifikohet si fenomen sezonal i fundvitit, duke e cilësuar atë si pasojë direkte të mungesës së veprimit institucional dhe dështimit në menaxhimin e sektorëve kyç të ekonomisë.

    “Ajo që po ndodh me inflacionin nuk mund të relativizohet si ‘fenomen fundviti’ dhe as të fshihet pas statistikave. Rritja e çmimeve prej 5,3% është pasojë direkte e mosveprimit institucional, mungesës së politikave mbrojtëse dhe dështimit për të menaxhuar sektorët kyç të ekonomisë’’,  ka deklaruar Muhaxheri.

    Sipas Muhaxherit , qytetarët po përballen me rritje të ndjeshme të kostos së jetesës, veçanërisht në ushqim, energji dhe shërbime bazike, jo për shkak të rritjes së konsumit festiv, por si rezultat i tërheqjes së shtetit nga roli rregullator.

    “Qytetarët sot po paguajnë më shumë për ushqim, energji dhe shërbime bazike, sepse shteti ka hequr dorë nga roli i tij rregullator’’, ka thënë Muhaxheri

    Muhaxheri e ka cilësuar shtrenjtimin e energjisë elektrike si katalizatorin kryesor të zinxhirit inflacionist, duke shtuar se institucionet kanë qenë të vetëdijshme për efektet që do të prodhonte kjo rritje, por nuk kanë ndërmarrë asnjë masë parandaluese apo lehtësuese.

    “Kur rritet çmimi i energjisë, rritet gjithçka tjetër. Kjo është lënë të ndodhë pa asnjë mekanizëm mbrojtës për qytetarët. Në një ekonomi të varur nga importi dhe me prodhim vendor të dobët, kjo qasje është papërgjegjësi e pastër’’,  ka thënë  ai.

    Duke folur për ndikimin social të inflacionit, Muhaxheri ka thënë se fuqia blerëse e qytetarëve ka rënë realisht, pasi pagat nuk po e ndjekin ritmin e rritjes së çmimeve.

    “Pagat nuk po e ndjekin inflacionin dhe çdo rritje e vogël është fiktive, sepse zhduket në arkën e marketit dhe në faturat mujore. Institucionet flasin për stabilitet makroekonomik, ndërsa qytetarët po jetojnë me më pak se një vit më parë’’,  ka shtuar njohësi i ekonomisë.

    Në përfundim, Muhaxheri shtoi se problemi kryesor nuk është vetëm inflacioni, por mungesa e përgjegjësisë institucionale.

    “Pa politika serioze për energjinë, pa kontroll të tregut dhe pa mbrojtje të të ardhurave, inflacioni po shndërrohet në barrë të përhershme për qytetarët. Heshtja dhe mosveprimi institucional nuk janë neutralitet – janë zgjedhje që po e ulin drejtpërdrejt standardin e jetesës’’, ka thënë Muhaxheri./Front Online

     

     

     

     

    Nga Rubrika
    Sport03 Mars 2026
    Mërgim Vojvoda ka humbur një mundësi të artë të kalonte Comon në epërsi ndaj Interit, në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë. Mbrojtësi...
    Sport03 Mars 2026
    Barcelona ka synim që sonte ta bëjë “të pamundurën, të mundur”, në përballje me Atletico Madridin. Në ndeshjen që luhet sonte me...
    Sport03 Mars 2026
    Real Madridi pësoi humbjen e katërt nën drejtimin e Alvaro Arbeloa kundër Getafes të hënën mbrëma, një rezultat që i lë “Los...
    Të tjera
    Lajme03 Mars 2026
    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se i ka thënë Bedri Hamzës se nëse kandidon për President,...
    Bota/Rajoni03 Mars 2026
    Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Marina e SHBA-së do të fillojë shumë shpejt të shoqërojë cisternat që kalojnë nëpër Ngushtica...
    Lajme03 Mars 2026
    Kreu AAK-së, Ramush Haradinaj deklaroi se një numër i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje i kanë premtuar votën nëse ai do të kandidojë...
    Bota/Rajoni03 Mars 2026
    Asambleja e Ekspertëve të Iranit këtë të marte ka zgjedhur liderin e ri suprem të vendit. Mediat iraniane raportojnë se lideri i ri është...
    Vip03 Mars 2026
    Rogerti është kthyer në shtëpinë e Big Brother VIP Albania. Pasi u përplas me Monika Kryemadhin për sjelljen e tij, Rogerti vullnetarisht...
    Bota/Rajoni03 Mars 2026
    Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka konfirmuar se një dron ka goditur një parking në afërsi të Konsullatës Amerikane në Dubai,...

    FrontOnline, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.