Si në çdo vit tjetër, edhe sivjet, faza e fundit e edicionit në kampionatin e Kosovës në futboll, merr vëmendje të madhe.
Përveç garës së ngushtë për titull, drejtohen shumë akuza në lidhje me manipulimin e ndeshjeve ndaj klubeve të caktuara, raporton FrontOnline.
Ndonëse hetimet nga prokuroria kanë nisur që herët, ende nuk është marrë ndonjë vendim i rëndësishëm në këtë drejtim.
Në lidhje me këtë çështje, ka folur edhe kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi.
“Shefi” i shtëpisë më të madhe të sportit kosovar ka thënë në këtë drejtim, FFK-ja do ta ketë mbështetjen e KOK-ut.
“Ne e vlerësojmë lartë punën që po bënë Federata e Futbollit të Kosovës për avancimin e futbollit të Kosovës dhe e inkurajojmë të vazhdojë të punojë, ndërsa nga ana jonë do ta kenë mbështetjen e nevojshme”, ka thënë për FrontOnline Ismet Krasniqi./FrontOnline/