Departamenti i Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u dha prokurorëve federalë dritën jeshile për të hetuar parregullsitë e mundshme me votat në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit. Hetime të tilla zhvillohen normalisht nga shtetet e posaçme, por Prokurori i Përgjithshëm William Barr njoftoi përmes një memoje, se kur ka pretendime të besueshme për parregullsi që mund të kenë ndikim në zgjedhjet kombëtare, çështja mund t’u kalojë prokurorëve federalë.
“Është përgjegjësi e departamentit të drejtësisë të sigurojë që zgjedhjet federale të jenë zhvilluar në atë mënyrë, që populli amerikan të ketë besim të plotë në procesin zgjedhor dhe qeverinë e tyre”, deklaroi William Barr.
Por, menjëherë pas publikimit të memos, zyrtari i lartë i Drejtësisë Rochard Pilger, i cili do të duhej të mbikëqyrte hetimet, dha dorëheqjen në shenjë proteste. Në një email ai u tha kolegëve se Barr po përmbyste politikën 40-vjeçare të mos ndërhyrjes se departamentit të Drejtësisë në pretendimet për vjedhje votash para certifikimit të rezultateve.
Presidenti amerikan Donald Trump refuzon të pranojë humbjen e zgjedhjeve, dhe ka ngritur pretendime të pambështetura në prova, për parregullsi të mundshme. Ndërkaq ekipi i fushatës së tij për përpiqet të bllokojë certifikimin e fitores së Biden në shtetin kyç të Pensilvanisë. Fitorja e projektuar e demokratit në ketë shtet, i dha atij 270 votat e nevojshme elektorale për të siguruar biletën për në Shtëpinë e Bardhë.
Zëdhënësja e Trump, Kayleigh Mcenany, tha se beteja ligjore për të kontestuar rezultatet sapo kishte nisur. “Pozicioni ynë është i qartë. Ne duam të mbrojmë një numërim të ndershëm, të saktë e të ligjshëm. Duam transparencë maksimale. Duam që çdo votë e ligjshme të numërohet dhe që çdo votë e paligjshme të skartohet”, deklaroi ajo.
Por pavarësisht kundërshtive, gazetarë që mbulojnë Shtëpinë e Bardhë, thonë se presidenti është përgatitur të lërë detyrën dhe se po mendon për një rikandidim të mundshëm në vitin 2024. /A2