×
  • Lajme
  • Lajme

    Aktakuza ndaj udhëheqësve të luftës në Kosovë është e pasaktë dhe e njëanshme

    FrontOnline
    13 Nëntor 2020

    Aktakuza e prokurorit të Hagës për krime lufte ndaj Hashim Thaçit dhe tre ish-zyrtarëve të tjerë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e devijon historinë dhe në mënyrë selektive heq fakte për të vendosur një rast të njëanshëm.

    Anna Di Lellio

    Mes mahnitjes për zgjedhjet presidenciale amerikane dhe lajmeve të frikshme rreth COVID-19, isha duke e humbur hapjen e gjykimit të ish-stafit të përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara të Kosovës. Tani që jam përqendruar në të, dëshiroj që të më kishte ikur tërësisht.

    E vërteta është se unë besoj në drejtësinë ndërkombëtare dhe ajo që unë lexoj dhe kuptoj është një goditje e madhe ndaj besimit tim në të.

    Të nisim nga fillimi: Aktakuza e Prokurorit të Specializuar të Kosovës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit më 4 nëntor. Akuzat për krime lufte kundër njerëzimit dhe krime lufte sipas ligjit ndërkombëtar janë të rënda. Sidoqoftë, unë nuk do ta adresoj meritën e këtyre krimeve, sepse nuk jam hetuese, prokurore ose avokate mbrojtëse.

    Megjithatë, kam gjetur shumë për të thënë rreth formësimit të këtyre krimeve në narrativën që futet në sektorin e quajtur “Paraqitja e Fakteve”.

    Ky titull tingëllon oruellian tashmë, pas leximit të rreshtave të parë: “Më 1989, në kontekstin e tensioneve në rritje dhe skizmave (përçarjeve) në tërë ish-Jugosllavinë, statusi i Kosovës si provincë autonome u largua. Pas kësaj, shqiptarët e Kosovës me shumicë dërrmuese përkrahën një referendum për pavarësi…”

    Fjalët hyrëse të aktakuzës janë shembull tipik i gjuhës së përdorur nga Zyra e Prokurorit përgjatë tërë dokumentit. Është një gjuhë jashtëzakonisht e paqartë dhe e turbullt që sjell përdorim të tepruar të termeve të gabuara dhe trajtës pësore.

    “Skizma”? Skizmi është një ndarje mes palëve kundërshtare ose ndarje formale e një Kishe në dy Kisha. Më 1989, Republikave Federale Socialiste e Jugosllavisë nuk është përballur me skizëm, por me një krizë të thellë kushtetuese dhe politike që çoi në luftë. Autonomia e Kosovës nuk është “larguar”. Kuvendi i Serbisë e bëri këtë, me forcë.

    Fjalët “pas kësaj” shtrijnë një mbulesë mbi tre vjet të fakteve plot ngjarje: protesta të gjera paqësore të shqiptarëve në Kosovë, përfshirë grevën e urisë nga minatorët që u shtyp me dhunë; gjendjen emergjente të shpallur nga presidenca jugosllave; burgosjen masive të shqiptarëve dhe torturimin e tyre në burgje; marrjen peng të Kuvendit të Kosovës para shpërbërjes së tij dhe largimin e të gjithë shqiptarëve nga puna, spitalet, shkollat.

    Prokurorët e Specializuar qartazi janë të mangët në histori, por të mos u kërkojmë që të lexojnë libra të historisë. Leximi i punës së kolegëve të tyre në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve për Ish-Jugosllavinë (ICTY), do të ishte i mjaftueshëm. Ta marrim këtë pjesë nga gjykimi i vitit 2005 i kësaj gjykate në rastin kundër liderit të UÇK-së, Fatmir Limaj, dhe dy të tjerëve, “Pjesa III-A. Konteksti Politik në Kosovë dhe Dalja e UÇK-së”. Aty janë të gjitha faktet që duhet të përmenden.

    Një lexim tjetër i mirë është gjykimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve për Ish-Jugosllavinë i vitit 2011 për atë se kush është kush në ushtrinë serbe dhe udhëheqësinë politike serbe (ish-presidenti Milan Milutinoviq dhe pesë të tjerë). Në këtë gjykim, “Pjesa III. Konteksti Historik” është e mbështetur në raportime serioze dhe të vërtetuara të organizatave “Human Rights Watch” dhe “Amnesty International” dhe raportuesit special të OKB-së, Tadeusz Mazowiecki.

    Konflikti i armatosur me Serbinë, i njohur nga Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve për Ish-Jugosllavinë (Gjykimi i Milutinoviqit dhe të tjerëve, Paragrafi 820), meriton vetëm një përmendje në aktakuzën e Dhomave të Specializuara dhe atë si përleshje mes dy palëve rivale. Faktet dallojnë. Që nga pjesa e parë e vitit 1998, Serbia kishte angazhuar polici, ushtri të rregullt, rezervistë, forca speciale dhe formacione të veteranëve vullnetarë të gjenocidit të Bosnjës në Kosovë. Në atë kohë, UÇK-ja ishte një grup prej disa qindra individëve të armatosur dobët.

    Lufta filloi në mars të vitit 1998, kur trupat serbe i masakruan 83 shqiptarë në Drenicë. Vetëm disa prej tyre ishin luftëtarë të UÇK-së. Kjo ngjarje e alarmoi prokuroren e Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve për Ish-Jugosllavinë, Louise Arbour, që Serbia ishte duke kryer krime lufte. Deri në verën e vitit 1998, kishte qindra mijëra civilë shqiptarë të zhvendosur. Vetëm atëherë UÇK-ja u rrit në numër dhe konsensus.

    Kjo aktakuzë portretizon një luftë në të cilën secili aksion nga forcat serbe të sigurisë ishte një operacion i drejtpërdrejt kundër kryengritjes. Kjo është e pavërtetë me fakte, sepse masakrat, dhunimet dhe zhvendosjet ndodhën edhe aty ku nuk kishte UÇK aktive. Aty ku kishte, kundërpërgjigjja ishte joproporcionale.

    Fakti është që udhëheqësia e Serbisë përbënte një ndërmarrje kriminale të përbashkët me qëllim të ndryshimit të baraspeshës etnike të Kosovës, siç arriti në përfundim Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve për Ish-Jugosllavinë.

    Sipas Prokurorëve të Specializuar, “elementet rrethanore” për krimet që dyshohet se janë kryer në Luftën e Kosovës nuk janë faktet e vërtetuara nga Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve për Ish-Jugosllavinë, por vullneti i Lëvizjes Popullore të Kosovës “për t’i koordinuar veprimet e njësive të armatosura në Kosovë”.

    Gjoja, Lëvizja Popullore e Kosovës doli me emrin UÇK – një pasaktësi e qartë sipas gjykimit të Limajt dhe të tjerëve – dhe vazhdoi që të ndërtonte një ndërmarrje kriminale të përbashkët për t’i eliminuar “kundërshtarët” dhe për ta kontrolluar territorin e Kosovës.

    Kush ishin këta kundërshtarë? Bashkëpunëtorë të shtetit jugosllav dhe forcave të tij dhe njerëz që nuk i përkrahnin UÇK-në dhe Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, përfshirë anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, serbë, romë dhe njerëz të etnive të tjera.

    Si e dimë ne që UÇK-ja i kishte ato qëllime? Nga hamendja prej sjelljes së tyre. Kjo është pika ku rrëfimi i Prokurorëve të Specializuar bëhet i çuditshëm. Aty thuhet se gjatë bombardimeve të NATO-s, “ushtarë të UÇK-së dhe një numër i madh i civilëve shqiptarë të Kosovës lëvizën nga Kosova në Shqipëri” (pjerrtëzimi i shkronjave është bërë nga autorja e tekstit, nuk ekziston në aktakuzë). Por, kjo ka qenë vija e mbrojtjes e të gjithë kriminelëve serbë të luftës që janë dënuar. Nuk është fakt.

    Faktet janë që NATO-ja nuk ka ndërhyrë kundër Serbisë për ta mbuluar komplotin e Lëvizjes Popullore të Kosovës/UÇK-së; (por faktet janë që) shumica e ushtarëve të UÇK-së qëndruan në Kosovë dhe se rreth 800.000 civilë shqiptarë u dëbuan nga forcat serbe të sigurisë në një fushatë ku mijëra u vranë dhe u dhunuan.

    Sipas aktakuzës së Prokurorëve të Specializuar, pasi përfundoi lufta, “një numër i madh i ushtarëve të UÇK-së dhe refugjatëve shqiptarë të Kosovës u kthyen nga Shqipëria dhe u vendosën në zona që më parë kontrolloheshin nga forcat e Republikës Federale të Jugosllavisë” (pjerrtëzimi i shkronjave është bërë nga autorja e tekstit, nuk ekziston në aktakuzë).

    Kjo është një e vërtetë e pjesshme, e shprehur në gjuhë të pjerrët që paraqet njëanshmëri. Tingëllon sikur refugjatët shqiptarë dhe ushtarët e UÇK-së e pushtuan Kosovën. A do të duhej të qëndronin ata në Shqipëri? Ata u kthyen në shtëpi dhe njësoj vepruan (u kthyen në shtëpi) forcat jugosllave, në Serbi.

    Të supozojmë që Prokurorët e Specializuar kanë dëshiruar ta rishkruajnë historinë e Luftës së Kosovës. Ata dështuan në mënyrë të tmerrshme nga çfarëdo standardi i fakteve. Fatkeqësisht, universi i tyre paralel është korniza në të cilën udhëheqësit e UÇK-së, që tani janë në gjykim, do të gjykohen. Kjo është ca drejtësi!

    Anna Di Lellio ligjëron për marrëdhënie ndërkombëtare dhe siguri në Universitetin e Nju Jorkut dhe në Shkollën e Re në Nju Jork.

    Nga Rubrika
    Lajme14 Nëntor 2024
    Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim presidentin e Gracism...
    Lajme14 Nëntor 2024
    Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mirëpriti në takim zëvendës-shefen e misionit të...
    Lajme14 Nëntor 2024
    Komuna e Prishtinës, ka marr sot vendim për ndalimin e përdorimit të Doracakëve ‘Eduakimi Seksual dhe Shëndeti Riprodhues’ 1-5, 6-9 dhe 10-12...
    Të tjera
    Sport14 Nëntor 2024
    Kosova ka përfunduar stërvitjen e fundit para ndeshjes me Rumaninë në kuadër të rrethit të pestë në Ligën e Kombeve. Ndeshja që...
    Bota/Rajoni14 Nëntor 2024
    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në Facebookun e tij ka publikuar pamje nga Panairi i Librit, duke thënë se është një atmosferë...
    Lajme14 Nëntor 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pritur në takim drejtoreshën e Institutit Demokratik Ndërkombëtar në Kosovë, Nancy Soderberg. “Kryeministri i Republikës...
    Lajme14 Nëntor 2024
    Senatori John Thune, mik i Federatës Vatra do të drejtojë Senatin Amerikan për 4 vitet e ardhshme, detyrë që e merr në...
    Lajme14 Nëntor 2024
    Sot rreth orës 14:00 në rrugën “Ibrahim Mazreku” në Malishevë është raportuar për gjuajtje me armë zjarri. Rastin e ka konfirmuar për...
    Lajme14 Nëntor 2024
    Deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, ka reaguar ndaj propozimit të liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, që pas zgjedhjeve opozita ta ndan postim...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.