Kreu i Qeverisë, Albin Kurti ka refuzuar të deklarohet për aktakuzën ndaj Liburn Aliut, sot kur është pyetur nga gazetarët.
Kurti ka bërë homazhe sot bashkë me kabinetin qeveritar në kompleksin memorial “Dëshmorët e kombit” në Gllogjan.
Në këtë organizim ka marrë pjesë edhe ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu për të cilin është bërë e ditur dje se ka aktakuzë të konfirmuar.
Megjithatë, Kurti kur është pyetur nga mediat ka refuzuar që ta komentojë këtë temë.
“Te ky vend i dëshmorëve nuk mund të flasim për politika të ditës”, ka thënë ai.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu në Qeverinë Kurti 2, rezulton se është i akuzuar për keqpërdorim i detyrës zyrtare.
Kjo aktakuzë e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 24 korrik 2020, e ngarkon Aliun me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare gjatë kohës kur ai ushtronte detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.