Yll Zekaj nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se i kanë mirëpritur arrestimet e bëra sot për keqpërdorime me subvencione në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZhB), në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Zekaj në Info Magazine theksoi se Kosova vazhdon të ketë një sistem të drejtësisë totalisht të kapur nga politika, njofton Klan Kosova.
“Që nga viti 2010 kemi pasur një mungesë të bashkëpunimit me organet e drejtësisë dhe kjo e ka sjellë Kosovën në këtë gjendje që jemi tash. Ne e kemi një sistem të drejtësisë të kapur nga ana e politikës dhe është sistem i brishtë që këtë nuk e japim vetëm ne si Organizatë e Shoqërisë Civile por këtë e thonë edhe të gjitha raportet ndërkombëtare”.
“Aksionin e sotëm e kemi parë si një aksion të mirëseardhur në çdo rast kur kemi të bëjmë me arrestimin e zyrtarëve publik ku dyshohet se ka keqpërdorim të detyrës zyrtare – përkatësisht korrupsion dhe krim të organizuar”.
Zekaj tha se ky aksion ngjason me atë të Karaçevës që bëri bujë e nuk pati rezultate kur erdhi puna tek konfiskimet dhe arrestimet.
“Por kjo na e përkujton edhe praktikën e mëhershme kur kemi pasur aksione të tilla e në fund nuk kanë rezultuar me aktgjykime të plotfuqishme”.
“Kemi pasur rastin e Karaçevës para disa muajve ku u supozua që thye një krim i organizuar në të cilin kishte bixhoz, trafikim me qenie njerëzore dhe në fund kur erdhi puna tek konfiskimi patëm konfiskimin e disa kafshëve por nuk patëm konfiskim të asaj pasurie që vinte nga një pretendim i krimit të organizuar”.
“Njësoj sikur në atë rast edhe në këtë rast kishim prokurorë të shtetit, kryeprokurorë të prokurorive përkatëse të cilën bënin bujë se çfarë kanë arritur dhe çfarë kanë realizuar me aksionet e tilla”.
“Edhe rasti i Karaçevës ka qenë i tillë kur ende pa shkuar për t’i arrestuar personat e caktuar në Parlamentin e Kosovës filluan politikanët që ta dekonspirojnë këtë aksion dhe të mos tregojnë se do të ndodhë një aksion i madh në të cilin do të arrestohen persona të rëndësishëm. Në fund pamë që u arrestuan policë të nivelit të ulët dhe nuk kishin të bëjnë me persona të rëndësishëm si u theksua”.
“Në raste të tilla merren kryesisht niveli i ultë i zyrtarëve publik dhe amnistohen ata që janë krerët e pjesës tjetër të institucioneve publike”, deklaroi Zekaj.
Zekaj po ashtu vuri në dukje mungesën e prokurorit të rastit në konferencën e sotme pas arrestimeve që ishin bërë.
“Në raste të tilla ka rëndësi shumë se kush prokuror i rastit, në rastin e sotëm kishim një prokuror i cili nuk ishte prezent fare në konferencën “bombastike” ku folën sot Kryeprokurori i Shtetit dhe Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore – këta të fundit morën meritat e punës së prokurorit të rastit të cilët besoj se nuk kanë bërë ndonjë punë të madhe rreth këtij rasti”.
“Kemi raste të shumta kur kryeprokurorët janë më shumë pengues në sistem të hetimeve sesa që ndihmojnë hetimet dhe shumë shpesh kemi dekonspirim të hetimeve pikërisht nga kryeprokurorët e shtetit”.
“Shumë pak nga këto raste në fund arrijnë të bëhen aktgjykime dënuese edhe nëse arrihet atëherë kemi dënime me kusht apo lirime nga dënimet. Nuk kemi ende asnjë rast të profilit të lartë që nga paslufta që ka marrë burgim efektiv që sot të gjendeshin në vuajte të dënimit”, tha Zekaj.
Mes tjerash Zekaj inkurajoi të gjithë qytetarët që hasin në keqpërdorime të detyrës tek zyrtarët t’i lajmërojnë ata në polici.