Antidroga në Policinë e Kosovës ka zhvilluar sot një aksion në Skivjan të Gjakovës, ku ka kryer bastisje që rezultuar me sekuestrimin e një sasie të substancave narkotike, e municion, si dhe pajisje për përpunimin e drogës.
Burimet nga Prokuroria bëjnë me dije për Sinjalin se bastisja u krye në shtëpinë e K.M., 24-vjeçar i cili është arrestuar në vendin e ngjarjes dhe tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor, për dy vepra penale.
Gjatë aksionit të Policisë, është sekuestruar një qese me substancë narkotike, të llojit marihuanë, një peshore, si dhe dhjetëra fishekë, që u gjetën gjatë kontrollit policor në shtëpinë e tij., raporton Gazeta Sinjali.
Pas përfundimit të aksionit dhe shoqërimit të personit të dyshuar në stacion policor, i njëjti është intervistuar nga hetuesit policorë dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprat “Posedim i paautorizuar i substancave narkotike” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.