Policia e Kosovës ka zhvilluar gjatë ditës së sotme një aksion kundër drogës në qytetin e Kamenicës, që ka rezultuar me sekuestruan e një sasie të marihuanës dhe arrestimin e një personi të dyshuar.
Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se bastisja u krye në shtëpinë e J.M., te i cili sipas informacioneve të para janë sekuestruar sasi e konsiderueshme e substancave narkotike, të ndara në dhjetëra paketime.
Kontrolli në shtëpinë e të dyshuarit u krye me urdhër të Prokurorit të Shtetit dhe aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake, me ç’rast u arrestua edhe personi i dyshuar.
Përveç drogës, burimet thonë se gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit janë sekuestruar edhe dëshmi të tjera në lidhje me rastin.
Pas arrestimit të të dyshuarit, i njëjti është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratë para hetuesve për veprën me të cilën ngarkohet. Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor prej 48 orësh për shitblerje dhe shpërndarje të paautorizuar të narkotikëve.