Inspektorët rajonalë të KRU “Hidrodrini” dhe Njësisë së Klinës, me mbështetje të Policisë së Kosovës, kanë ndërmarrë një aksion të gjerë në komunën e Klinës për të identifikuar dhe ndëshkuar keqpërdoruesit e ujit të pijes dhe konsumatorët borxhlinj.
KRU “Hidrodrini” nëpërmjet rrjetit social Facebook ka bërë të ditur se aksioni është shtrirë në qytet dhe në disa fshatra të komunës së Klinës.
“Aksioni, i cili është shtrirë në qytet dhe fshatra, ka rezultuar në pagesa të menjëhershme të borxheve nga konsumatorët, të cilët i kanë kryer pagesat në prani të inspektorëve. Ndaj keqpërdoruesve të ujit të pijes janë ndërmarrë masa të rrepta, duke përfshirë gjoba ligjore dhe çkyçje të menjëhershme nga sistemi i ujësjellësit,” kanë shkruar ata ndër të tjera.
Gjithashtu, KRU “Hidrodrini” ka thënë se për të garantuar menaxhimin e përgjegjshëm të këtij burimi jetik, aksionet e inspektorëve do të vazhdojnë edhe gjatë orëve të mbrëmjes.