Njëri nga ngasësit që ishte i përfshirë në aksidentin e ndodhur dje në Veternik, ku një kamionë goditi 7 vetura ku lëndoi tetë persona, ka shpjeguar për Klan Kosovën atë që ai e përjetoi.
Besim Pajaziti, thotë se në veturë ishte së bashku me gruan dhe nënën të cilën po e dërgonin te mjeku.
“Papritmas e kom parë në sekonda një kamionë që ka ardhur në drejtim tonin. Isha në shiritin e dytë, sa kam pasur mundësi kam ikur nga shiriti im pak, s’kam guxuar të rrezikoj. Ka qenë një veturë e bardhë, ka ardhur në drejtim timin, kam ikur me një shpejtësi aq sa ka mundur, më është dukur që nuk po ec vetura. Tmerr të shohësh vdekjen me sy, ka qenë një ‘bombë’ e hatashme”, u shpreh ai.
Pajaziti thotë se nga kjo ngjarje ai, gruaja dhe nëna e tij kanë pësuar lëndime, ndërsa thekson se kjo e fundit ishte pa vetëdije, raporton Klankosova.tv.
“Kam dalë në atë pjesën e shoqes nga pjesa ime që më ka goditur kamioni, unë kam ikur pa më godit. Falë Zotit kemi shpëtuar, kemi lëndime, nëna ka qenë pa vetëdije, kemi shkuar në ambulant dhe kemi bërë trajnime. Nëna ka qenë shumë keq, sepse ashtu kështu ka qenë sëmurë, ka marrë lëndime të qafës sidomos, sepse ka qenë në karrige në mes mbrapa”, deklaroi ai.
“I kam thënë shoqes po e qesim nënën jashtë sepse mos po na digjet vetura. Nëna pastaj me trauma ka qenë. ‘Ishalla’ kanë shërim të shpejtë të gjithë”, shtoi Pajaziti.