Kryeministri Albin Kurti është deklaruar sot rreth aksidentit ku u përfshi zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, Ali Tafarshiku. Kurti tha se organet e rendit janë duke e hetuar rastin, teksa shprehu keqardhje për ndodhinë.
Ai paralajmëroi edhe masa, por se tha se fillimisht po presin hetimet nga organet kompetente.
“Sa i përket aksidentit që ka ndodhur janë organet e rendit, institucionet përkatëse të shtetit tonë të cilët hetojnë e hulumtojnë dhe natyrisht procedura vazhdon. Mua më vjen jashtëzakonisht keq për krejt çfarë ka ndodhur. Besoj që njëjtë ndjehet edhe zëvendësministri dhe shumë shpejt do të mund të merren hapat në vijim, por na duhet njëherë të jemi të përqendruar tek i lënduari dhe tek lejimi i organeve të rendit që ta bëjnë punën e tyre ashtu siç duhet”, ka thënë ai.
Tafarshiku ka shkaktuar mbrëmë një aksident trafiku.
Në konfirmimin e Policisë rajonale të Gjakovës nuk përmendet se aksidenti është shkaktuar nga një veturë zyrtare, e as që personi që po e drejtonte atë, në këtë rast zëvendësministri Tafarshiku ka rezultuar se ishte nën konsum të alkoolit kur ka shkaktuar aksidentin.
“Me datë 08.10.2024 rreth ores 22:00 në rrugën “Ali Pashë Tepelena” në Gjakovë, ka ndodhur një aksident trafiku mes një veture dhe një motoçiklete. Përveç dëmeve materiale, një person (ngasësi i motoçikletës) ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor. Me vendim të prokurori të shtetit rasti është duke u trajtuar në procedurë të rregullt”, thuhet në konfirmimin e policisë rajonale të Gjakovës për Reporteri.
Personi që është goditur nga vetura zyrtare me të cilën po udhëtonte zëvendësministri është një 15 vjeçar.
Pas rastit, Tafarshiku është shoqëruar në polici ku i është bërë edhe testi i alkoolit dhe ka rezultuar pozitiv, dhe se kishte konsumuar 2.30% promil.
Po ashtu u raportua se i njëjti pas rastit dhe intervistimit në polici është liruar në procedurë të rregullt.