Deputeti i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka publikuar një fotografi pas votimit të Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, që kaloi sot në lexim të parë, në të cilën shihet në shoqërinë e zyrtarëve të Nismës, e cila është pjesë e Qeverisë dhe me deputeten tjetër të AKR-së.
“Një kafe me grupin pas votimit të Rimëkëmbjes Ekonomike, kismet +2!”, ka shkruar Pacolli.
E pas këtij postimi të Pacollit u shtuan zërat se AKR-ja, do të bëhet pjesë e Qeverisë “Hoti”.
Lidhur me këtë për Front Online, ka folur sekretari i kësaj partie, Vesel Makolli.
Ai tha se postimi i Pacollit, nuk ka të bëjë aspak me hyrjen në Qeveri, por me grupin parlamentar.
“Jo, kjo nuk ka lidhje me qeveri është rreth grupit parlamentar”, tha shkurt Makolli.
Ndërsa i pyetur se a do të bëhet AKR-ja pjesë e Qeveris në rast se do të ketë riformatim, Makolli tha se një gjë të tillë do ta analizojnë dhe nuk do të jenë pengës për veprimet e mira që kanë të bëjnë për vendin.
“Parimisht ne e kemi votuar këtë Qeveri, e kemi votuar çdo nismë të kësaj Qeveri që shkon në të mirë të Kosovës, në të ardhmen nëse bëhet ndonjë ristrukturim i Qeverisë apo hynë ndonjë parti tjetër ne nuk do të jemi pengës. Do t’i analizojmë të gjitha dhe do t’i marrim vendimet për veprimet në të mirë të Kosovës. Nëse vjen të ristrukturimi ne jemi për çdo veprim që merret në të mirë për qeverisjen më të mirë të vendit”, tha ai për Front Online.