Tre anëtarët ndërkombëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC), Herbert Amato, Jeffery Butel dhe Magdalena Ziolo, kanë dhënë dorëheqje, nga pozitat e tyre në këtë insitucion.
Arsyeja e dorëheqjes së tyre ka buruar nga detyrimi ligjor për deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, meqë të tre zyrtarët e KSHC-së ishin votuar në Kuvendin e Kosovës për të ushtruar detyrën e tij në këtë institucion publik.
Lidhur me këtë çështje kanë folur nga Agjencia Kundër Korrupsionit, të cilët kanë sqaruar se tre ndërkombëtarët që kanë punuar në KShC, kanë qenë të obliguar që ta deklarojnë pasurinë, gjë të cilën nuk e kanë bërë.
“Agjencia kundër Korrupsionit ka pranuar njoftimin nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në vitin 2020 që në mesin e zyrtarëve të lartë nga Këshillit Shtetëror të Cilësisë janë tre zyrtarë ndërkombëtar të cilët janë të obliguar ta bëjnë deklarimin e rregullt të pasurisë, por të njëjtën informatë AKK nuk e ka poseduar në vitin paraprak”, thuhet në përgjigjen e AAK’së për Express.
Nga Agjencia Kundër Korrupsioni poashtu është bërë e ditur që ndaj tyre janë ndërmarrë veprime konform kompetencave ligjore të institucionit.
“Zyrtarët në fjalë nuk e kanë bërë deklarimin e pasurisë dhe lidhur me këtë rast Agjencia kundër Korrupsionit ka ndërmarrë veprimet konfrom kompetencave ligjore të AKK-së”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e tyre.
Por dorëheqja e tyre nuk është e vetmja në këtë Këshill.
Express ka siguruar edhe letrën e dorëheqjes së kryetarit të KShC’së, Gazmend Luboteni dhe të zëvendëses Vjollca Krasniqi.
Arsyeja e dorëheqjes sipas tyre është mungesa e legjitimitetit të KShC’së.
Më tutje në letër të njëjtit kanë dhënë edhe arsyetimin e dorëheqjes së tre ndërkombëtarëve nga ky Këshill.
Luboteni e Krasniqi kanë konstatuar se pas dorëheqjes së tre anëtarëve ndërkombëtarë, KShC-ja nuk ka legjitimitet.
“Në përbërje të KShC-së janë 9 anëtarë të propozuar nga ministri i Arsimit dhe Shkencës dhe të ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës. Në përbërjen e saj janë edhe tre anëtarë ndërkombëtarë, të cilët kanë dhënë një kontribut të çmuar për ngritjen e cilësisë në arsimin e lartë dhe janë vlerë e shtuar e KSHC-së. Fatkeqësisht, tre anëtarët ndërkombëtar kanë paraqit dorëheqjen e tyre për arsye të shumta që kanë të bëjnë me mungesat strukturore dhe rezistencën ndaj reformës për akreditim efektiv dhe konform standardeve ndërkombëtare të akreditimit. Në mungesë të anëtarëve ndërkombëtar, KShC-së nuk gëzon legjitimitet. Prandaj , edhe ne ofrojmë dorëheqjen tonë të parevokueshme”, thuhet në letrën e tyre drejtuar Likajt.
Në ndërkohë edhe Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), ka reaguar pas dorëheqjes se pesë anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, përfshirë edhe tre ndërkombëtarë.
Në reagimin e ORCA’së thuhet se detyrimi për të deklaruar pasurinë në Agjencinë Kundërkorrupsion për ndërkombëtarët duhet që të hiqet në vitet e ardhshme.
“Sot kanë dhënë dorëheqje 5 anëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë apo siç njihet Bordit të Agjencisë së Kosovës. Tre nga të dorëhequrit janë anëtarët ndërkombëtarë të cilët nuk janë njoftuar me kohë për detyrimin sipas ligjeve të Kosovës, që si zyrtarë të lartë ta deklarojnë pasurinë e tyre. ORCA respekton qëndrimin e tyre për ruajtje të privatësisë së tyre, por po ashtu thekson se ligjet duhen respektuar për të gjithë njëjtë. ORCA mendon se ky detyrim duhet ose të hiqet për anëtarët ndërkombëtarë në të ardhmen ose të gjenden anëtarë ndërkombëtarë që pranojnë ta deklarojnë pasurinë para se të emërohen në pozitë”, thuhet në reagim.
Bordi i KShC’së përbëhet prej 9 anëtarëve, prej të cilëve tre anëtarëve janë ndërkombëtarë.
Në përbërje të KShC’së ishin anëtarët: Gazmend Luboteni, Vjollca Krasniqi, Arta Jakupi, Rozafa Koliqi-Lila, Magdalena Ziolo, Herbert K. Amato, Xhavit Rexha, Jeffery Butel, Dukagjin Zeka.