Nga Hivzi Islami:
(Në 25-vjetorin e rënies)
Akademik Fehmi Agani bënte pjesë në lagjen e personaliteteve më të shquara të shkencës, të kulturës dhe të proceseve politike të shoqërisë kosovare dhe të asaj shqiptare në përgjithësi në pjesën e dytë të shekullit XX. Me formësim ishte në radhë të parë sociolog, por duke pasur njohuri të thella edhe nga politikologjia dhe filozofia konsiderohej ndër njohësit më brilant të problemeve më neuralgjike të politikës dhe të shoqërisë. Pa profesor Fehmiun mendimi politik shqiptar pa dyshim do të ishte i varfur dhe historia e Kosovës deri në çlirimin e saj më 1999 nuk mund të shkruhej pa veprimtarinë e prof. Aganit.
Studimet e tij për teoritë shoqërore dhe politike, për kombin, vetëvendosjen dhe demokracinë, për ndërtimin e shoqërisë civile, për raportet normale njerëzore me fqinjët, për marrëdhëniet ndëretnike dhe ato ndërkomëbëtare, për emancipimin kulturoror dhe vlerat universale njerëzore, mbesin të pakapërcyeshme në mendimin shkencor dhe në praktikën politike dhe shoqërore. Dha një kontribut të madh në bashkëpunimin e instancave shkencore dhe kulturore të Kosovës me institucionet e Republikës së Shqipërisë. Vështrimet e tij me vision të qartë teorik, ishin në funksion të mbrojtjes së kërkesave themelore të shqiptarëve dhe të drejtave të tyre legjitime, duke e vështruar çështjen e Kosovës dhe mvetësinë e saj si përbërës të çështjes së përgjithshme shqiptare.
Në procesin e emancipimit social dhe kulturor të shqiptarëve akademik Agani luajti një rol të madh në krijimin, ngritjen dhe pavarësimin e institucioneve shkencore, kulturore dhe kombëtare të Kosovës dhe shqiptarëve, që nga Instituti Albanologjik i Prishtinës në rithemelim më 1967, si drejtor i parë i tij, e deri te themelimi i Universitetit të Prishtinës dhe Akademisë së Shkencave he të Arteve të Kosovës. Nëpër duart e prof. Fehmiut kaluan breza të tërë studentësh dhe nën drejtimin e tij u formuan shumë kuadro shkencore nga disiplinat e ndryshme të shkencave shoqërore.
Kishte përkthyer edhe shumë vepra të autorëve të huaj nga fusha e sociologjisë dhe f ilozofisë për nevoja të studentëve dhe opinionin e gjerë. Pas vitit 1981, në valën e diferencimeve ideo-politike, prof. Aganin pushteti politik komunist e përjashtoi nga procesi mësimor, por ai nuk hoqi dorë nga qëndrimet e veta, nuk mori distancë ndaj kërkesave të studentëve dhe vazhdoi veprimtarinë emancipuese shoqërore. Megjithë angazhimet e shumta në lëvizjen politike shqiptare vitet e fundit prof. Agani gjente kohë të punonte edhe në shumë projekte shkencore në Fakultetin Filozofik, në Institutin e Sociologjisë dhe të Filozofisë dhe në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ku printe me idetë e tij gjithnjë inventive.
Në vitet e 90-ta, tok me Rugovën dhe intelektualët e tjerë, u vu në krye të lëvizjes politike të shqiptarëve të Kosovës. Ishte pjesëmarrës aktiv në jetën shkencore, politike e kombëtare dhe prijës i shumë proceseve progresive me rëndësi historike për Kosovën e më gjerë. Së bashku me akademik Gazmend Zajmin, që nga vitit i Madh 1968, siç e quante ai, ishte ideolog i projektit për pavarësinë e Kosovës, për të cilin punoi me tërë qenien deri në minutin e fundit të jetës, por nuk arriti ta gëzonte jetësimin e saj, Ditën e Pavarësisë së Kosovës, 17 Shkurtin e Madh.
Më 6 maj 1999, në rrjedhën e deportimit masiv, në rrugën e frikësimit, të tmerrit e të gjenocidit, e vrau pushteti serbohegjemonist i Millosheviqit! Pas një muaj e gjysëm qëndrimi në Prishtinë, duke i ndërruar disa vendqëndrime, kur më nuk kishte mundësi të fshihej e aq më pak të vepronte, vendosi të dalë me trenin e zi për Maqedoni, i bindur se nga jashtë do të mund të kontribuonte më shumë. Por autoritetet serbomaqedonase, me mbylljen e kufirit, e kthyen trenin mbrapsht. U nxorr nga treni së bashku me të gjithë udhëtarët nga forcat serbe diku midis Lipjanit dhe Fushë Kosovës. Pasi i dërguan në një fush-gropë, urdhëruan që të ulen të gjithë dhe filluan ndarjen e të rinjve për pushkatim. Sipas dëshmitarëve me emër e mbiemër, Prof. Fehmiu ngrihet në këmbë, i bindur se me identifikimin e tij forcat serbe do të merren me të dhe në këtë mënyrë do të shpëtojnë të rinjtë nga ekzekutimi. Policët që e njohën bërtitën, ja ku qenka ky që na solli NATO-n. U privua nga liria dhe menjëherë, pas urdhërit të marrë nga Beogradi, u ekzekutua! E dha jetën për të tjerët, për rininë kosovare dhe popullin shqiptar dhe idealet e tij.
Në vitet e 90-ta, me Rugovën në krye, prof. Fehmiu ishte figura e dytë e lëvizjes politike shqiptare, e cila në rrethanat e represionit e të terrorit hegjemonist serb kundër shqiptarëve luftonte për vetëvendosjen e shqiptarëve, çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës dhe zhvillimin e saj demokratik. Të gjithë përfaqësuesit e partive politike shqiptare të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Luginës së Preshevës i kërkonin konsultimet dhe këshillat e prof. Fehmiut; edhe vetë Rugova i drejtonte tek ai. Nuk kishte dokument, deklaratë, program apo platformë politike ku ai nuk ishte kryehartues; i dha kahet dhe orientimet ideore partisë më të madhe në Kosovë, që vepronte si një lëvizje, duke drejtuar tërë logjistikën e saj të brendshme dhe duke prezantuar atë para botës demokratike në mënyrën më të denjë. Me formimin teorik dhe përvojën jetësore e politike që kishte, ishte negociatori më i fortë shqiptar, që nga Konferenca e Hagës deri te ajo e Parisit. Armiku e vrau, por në tavolinën e bisedimeve nuk mund të mos e respektonte mendimin dhe vizionin e tij. Ishte politikani më i respektuar shqiptar te diplomatët e huaj, duke mos lejuar në asnjë çast të cënoheshin qëllimet bazë të lëvizjes politike shqiptare dhe objektivat e çështjes kombëtare.
Në planin njerëzor prof. Fehmiu ishte i qetë, modest, i matur, gjakftoftë, tolerant, i qartë, shembëllesë e mirësisë, personalitet me karakter të fortë dhe cilësi të larta morale, i thellë në mendime, racional në gjykime dhe i përgjegjshëm në paraqitje publike dhe i vëmendshëm në veprime. Kishte guxim të madh qytetar dhe intelektual ta thoshte atë që e mendonte. Me thellësinë e tij intelektuale, ishte polemist i mprehtë dhe konfrontues parimor me bartësit e pikëpamjeve të kundërta, ku në radhë të parë me argumente shkencore demaskonte tezat e hegjemonisë serbomadhe dhe posesivizmin serb ndaj Kosovës. Me mençurinë, kurajon intelektuale e njerëzore dhe sensin e posaçëm politik që kishte, si përfaqësues i Kosovës në Komisionin e shkencave shoqërore të Këshillit për ndarjen e shpërblimit të AVNOJ-it (KAÇKJ) në vitet e 70-ta, si çmimi më i lartë në ish-Jugosllavi, prof. Agani arriti ta refuzonte propozimin që Vasa Çubrilloviqit, hartues i dy elaborateve për dëbimin dhe zhdukjen fizike të shqiptarëve, t’i jepej ky çmim.
Akademik Fehmi Agani kudo që gjendej e vepronte pushtonte me butësinë, optimizmin dhe fjalën e tij të ngroftë. Ishte i afërt me të gjithë, i dashur nga të gjithë dhe i sinqertë ndaj të gjithëve; kishte sens të veçantë për humor të hollë. Gjithkund dhe gjithëherë përpiqej t’i gjente argumentet vetëm për t’i afruar dhe bashkuar njerëzit dhe strukturat e subjektet politike dhe jopolitike, duke i mënjanuar elementet e ndasive edhe atje ku ato njëmend ekzistonin. Në deklaratën e fundit që i kishte lënë me shkrim një gazete para 24 marsit 1999, por që nuk u botua për shkak të ndalimit të të gjitha mediave në gjuhën shqipe, në pyetjen e se kush ishte fajtor për mosunitetin e faktorit politik shqiptar, akademik Agani kishte theksuar: “Shqetësuese janë dhe gjithsesi të dëmshme, të rrezikshme, diferencat dhe diferencimet e tjera në lëvizjen politike shqiptare në formë rivalitetesh të shfrenuara dhe të ekskluzivizmit të partive dhe grupimeve politike, të rivaliteteve deri në atë masë sa gati të harrohet qëllimi”.
Ishte bartës i bashkërenditjes së veprimeve politike e shoqërore, të nevojshme më parë se kurrë në ato kthesa historike për Kosovën dhe shqiptarët. Dhe vendimi i tij që pas kaq ditësh vuajtjesh në Prishtinë, me shëndet të rrënuar (tensioni, zemra, diabeti, lodhja e përgjithshme), të dalë në Maqedoni, ishte pikërisht pengimi i ndasive dhe i konflikteve brenda-shqiptare, që vazhdonin edhe jashtë Kosovës. Ky fakt do të ishte arsyeja e dytë, mbase vendimtare pse regjimi nazifashist i Beogradit e likuidoi.
Vepra e tij shkencore u botua në 8 vëllime nga shtepia botuese “Dukagjini”. Veprën e përgatiti akademik Rexhep Ismajli. Vepra sigurisht nuk është e plotë. Mbetet të gjurmohen shkrimet, trajtesat dhe reflektimet kritike të tij për çështje të ndryshme të rrjedhave shoqërore dhe politike në shtypin dhe periodikun e kohës në Kosovë dhe jashtë saj edhe në bibliotekën e tij personale. Është një fat që pjesën dërmuese të veprës së tij e kemi në bibliotekë.
Veprimtaria dhe vepra e tij, do ta bëjnë të pavdekshëm akademik Fehmi Aganin, krenarnë dhe nderin e vërtetë të kombit shqiptar dhe të kulturës së tij. Jetoi dhe punoi për Kosovën e lirë dhe sovrane dhe vdiq për të. Trashëgimia e ndritur që la pas do të mbetet shembull dhe frymëzim për brezat që vijnë dhe themel i pakapërcyeshëm për mbarë shoqërinë shqiptare. Si personalitet kompleks, që dha kontribut të madh në zhvillimin shkencor, kulturo-arsimor, politik e kombëtar të shqiptarëve, e meritoi ngritjen e shtatores para Fakultetit ku ponoi shumë dekada, sikundër që e meritoi emrin e Universitetit të vendit të lindjes (Gjakovës) para 92 vjetëve!
Lavdi e përjetshme!