Specialisti për cilësinë e ajrit në IHK, Shkumbin Shala, teksa ka folur për cilësinë e ajrit në vend tha se në periudhën mars-maj të këtij viti ka pasur ulje të nivelit të ndotjes së ajrit, ndërsa në këtë muaj është ngjashëm sikurse vitin e kaluar.
Këto informacione Shala i dha në “Frontal” në T7, teksa shtoi se shkaktarët e ndotjes së ajrit janë industria, termocentralet, transporti, ekonomite familjare, mungesa e zonave të gjelbërta.
“Ndër qytetet më të ndotura është Obiliqi, por ka përmirësim krahasuar me vitin 2011 e 2013. Ndërsa në Brezovicë ajri është shumë i pastër”, tha Shala në Frontal, transmeton Gazeta Express.
Tutje ai shtoi se faktori njeri është ai që bën më së shumti ndotje dhe se ndotja e ajrit është problem global jo vetëm në Kosovë.