Kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti i ka vazhduar kritikat për nivelin qendror sa i përket menaxhimit të pandemisë COVID 19 dhe masave që janë marrë për të parandaluar përhapjen.
Ahmeti ka thënë se gjatë pandemisë janë shtuar kërkesat nga qytetarët në nivel lokal.
Ai shton se kanë telefonuar 13 mijë personat e prekur e atyre që kanë pasur nevojë iu kanë dërguar edhe furnizime me ushqim.
“Vija e parë e frontit është personeli shëndetësor, vija e parë është për t’u ballafaquar me probleme është shteti, po shumica e ankesave na vijnë neve, kemi pasur rritje të kërkesave për ndihmë, në Prishtinë janë 13 mijë persona që e kanë pas COVIDIN. I pyesim a jeni mirë, si po kaloni a keni mirë për diçka. Disa njerëz kërkojnë se nuk mund të dalin, disa për shkak të gjendjes së rëndë”, thotë Ahmeti në TV Dukagjini.
I pari i Prishtinës thotë se reagimet e tij nuk janë për të dëmtuar dikë politikisht.
“Nuk e kam qëllimin ta dëmtoj dikë politikisht, e kam pa që diskutimet e brendshme komunë-qeveri nuk po funksionojnë”, shton ai.
Ahmeti thotë se Qeverisë në takimet që ka pasur iu ka thënë se masat e marra janë “kot”.
“Kam fol nja 10 herë me qeverinë, kur them që këto masa janë kot, këtë ja kam thanë edhe në takim. Qysh deri në ora shtatë lëvizim? Ska kuptim logjik. Po them që po mbyllemi për dy javë, ose mos na shkaktoni dëme ekonomike”, thotë ai./FrontOnline/