Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti deklaroi sot lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe se ish-krerët e saj do të kthehen ballëlartë nga Haga, dhe përfundimisht do të dëshmojnë luftën e pastër që bëri Kosova dhe populli i saj.
Ai këto komente i bëri gjatë një takimi me shefin e Misionit të OSBE-së në Shkup, ambasadorin Klemenes Koja me të cilin biseduan rreth sfidave me pandeminë COVID-19 dhe rreth situatës së krijuar pas bllokimit të rrugës së anëtarësimit të Maqedonisë Veriore në BE nga ana e Bullgarisë.
Ahmeti dhe Koja gjatë takimit nuk kanë anashkaluar rajonin si dhe situatën e krijuar pas ngritjes së aktakuzave nga Gjykata Speciale ndaj presidentit të Kosovës, kryetarit të parlamentit dhe disa ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ahmeti i ka përsëritur ambasadorit Koja se lufta e UÇK-së ka qenë luftë për liri, luftë e drejtë dhe se edhe të akuzuarit e fundit do të kthehen ballëlartë nga Haga dhe përfundimisht do të dëshmojnë luftën e pastër që ka bërë Kosova dhe populli i saj.
Në fund të këtij takimi, Ahmeti dhe Koja shprehën gatishmëri për vazhdim të bashkëpunimit të ndërsjellë në të gjitha segmentet të cilat janë nën kompetenca të OSBE.