Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar pas ftesave të reja që kanë ardhur nga Gjykata Speciale, raporton Front Online.
Ai ka shkruar në rrjetin social facebook se kolektivisht duhet të dëshmojmë që Kosova ka qenë viktimë e jo agresor.
Shkrimi i tij:
Pa paragjykuar rastet në Gjykaten Speciale, një gjë është e qartë. Individët do të gjykohen individualisht për të vlerësuar përgjegjësinë penale, por Kosova do të jetë në gjyqin publik mediatik ndërkombëtar.
Akuzat e brendshme dhe luftërat politike të brendshme në lidhje me gjykaten tani janë pa kurfarë sensi. Jo për shkak të personave të akuzuar por për shkak të Kosovës.
Nuk është koha as për poezi. Në këtë kohë dhe për këtë çështje nevojitet unitet dhe punë serioze. Pa dallim. Krimet individuale në qoftë se kanë ndodhë kanë adresë. Por kolektivisht duhet të dëshmojmë që Kosova ka qenë viktimë e jo agresor. Ne e dijmë, por bota nuk po funksionon ashtu.
Mos të lejojmë që dallimet e kundërshtimet politike individuale të bëjmë dëm edhe më tutje për shtetin tonë.